Presidenti rus, Vladimir Putin u ka kërkuar vendeve perëndimore të paguajnë gazin rus me rubla. Franca, Gjermania dhe Britania kanë kundërshtuar. Por çfarë nënkupton kjo gjë
Nga Faisal Islam, BBC
Për Kremlinin, kjo ishte projektuar për të sugjeruar një përshkallëzim dramatik në betejën ekonomike mes Perëndimit dhe Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Vladimir Putini ka deklaruar se do të ndërpresë furnizimin me gaz të Europës nëse klientët perëndimorë refuzojnë të paguajnë furnizimet me monedhën ruse, rubla.
Megjithatë, reagimi i tregjeve sugjeron se detajet e mekanizmit nënkuptojnë se, në praktikë, klientët europianë do të duhet thjesht të ndryshojnë këmbimin e monedhës në Gazprombank. Kjo bankë është lënë e pasanksionuar, me qëllim që të vazhdojë tregtia e energjisë.
Si pasojë, çmimet e gazit mbeten shumë të larta, por sot nuk kërcyen në stratosferë. Duhet të ketë një zgjidhje.
Siç më tha një analist kryesor, kjo zgjidhje i ka ‘shpëtuar fytyrën’ Putinit, i cili mund të tingëllojë i ashpër në median vendase. Në fund të fundit, siç kanë thënë vazhdimisht zyrtarët rusë për dekada, furnizimi i Perëndimit me gazin rus vazhdoi pa ndërprerje edhe gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë.
Për ta mbyllur, Rusia ka ende nevojë për para për gazin dhe dëshiron sërish të lërë mundësinë e një tregu për eksportin e saj kryesor pasi të nënshkruhet një marrëveshje paqeje.
Megjithatë është gjithashtu e vërtetë të thuhet se kërcënimi i një ndërprerje është përshkallëzuar. Vendet e BE-së kanë përgatitur masa urgjente për të menaxhuar kërkesën dhe do të ishin më të gatshëm që të përballeshin me atë tani gjatë pranverës dhe verës sesa gjatë dimrit.




















