Opozita turke sfidon Erdogan, mendon qeveri pa partinë e tij

453
Opozita turke duhet të formojë një qeveri ku të lihet jashtë Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, duke sfiduar kështu presidentin Rexhep Erdogan, i cili ka hedhur në tavolinë edhe idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, vetëm një javë pasi rezultati nga kutitë e votimit nuk lejoi partinë e themeluar prej tij që të sigurojë shumicën për të qeverisur e vetme.
Pasi Erdogan tha që nëse nuk formohej koalicioni brenda 45 ditësh do të ketë zgjedhje të parakohshme, kryetari i Partisë Republikane, Kemal Kiliçdarollu, u përgjigj se është e papranueshme që Presidenti të kërkojë të marrë rol primar në këtë çështje.
“Detyra kryesore për të formuar qeverinë i takon bllokut opozitar që ka 60% . Për shkak të privilegjit që ka posti, Presidenti duhet të thotë fjalë të mençura kur flet, pasi e dëgjojnë 77 milionë njerëz”.
Rezultati zgjedhor i dha Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim 258 vende nga 550 në parlamentin turk, republikanëve 132, ndërsa nacionalistëve turq e kurdë nga 80 respektivisht.
Në një lëvizje të paprecedentë, Erdogan ka lajmëruar që do të thërrasë të katër liderët e partive në takime të veçanta, por do t’ia japë mandatin për të formuar qeverinë e re Kryeministrit në detyrë, Ahmet Dautollu, vendim që nuk pranohet tashmë nga opozita.
Si President, Erdogan duhet të qendrojë mbi palët politike, por fjalimet e tij të shpeshta para zgjedhjeve janë interpretuar si një fushatë e mirfilltë për partinë e themeluar prej tij.
Zgjedhjet e përgjithshme ishin një goditje e rëndë për shpresat e Presidentit, i cili shpresonte të siguronte shumicën absolute për të modifikuar edhe Kushtetutën dhe t’i garantonte postit të tij më shumë kompetenca.
Sigal