Njoftohet rikthimi i masave izoluese, serbët sulmojnë parlamentin

287
Sigal

Mijëra protestues u përleshën me policinë dhe tentuan të sulmojnë godinën e parlamentit në Beograd pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiç njoftoi rikthimin e masave izoluese për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Policia përdori disa herë gazin lotsjellës mbi turmën që thërriste “Dorëheqje” teksa grumbullohej përpara hyrjes kryesore të godinës së Kuvendit.

Disa protestues madje arritën të hyjnë brenda për pa kohë, por u zmbrapsën nga policia. Ata lëshuan drejt forcave të rendit fishekzjarrë, gurë, shishe e vezë.

Nuk munguan dhe përplasjet fizike, protagoniste të te cilave ishin më së shumti protestues ekstremistë të djathtë, por edhe policë që vërvisnin shkopinjtë e gomës.

Të martën Serbia, të cilës BE-ja i lejoi  udhëtimin në vendet e saj, shënoi numrin më të lartë të vdekjeve të konfirmuara në një ditë nga koronavirusi. Më herët Vuçiç e cilësoi situatën në kryeqytetin serb “alarmante” dhe “kritike”, pasi spitalet janë tejmbushur. Ministria e Shëndetësisë e Serbisë njoftoi për 13 të vdekur dhe 299 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.

Pas heqjes së masave kufizuese ndeshjet e futbollit dhe tenisit u luajtën me tifozë. Po ashtu vendi mbajti edhe zgjedhje parlamentare në 21 qershor, me gjithë paralajmërimet e ekspertëve se mbledhjet masive pa distancim fizik mund të çonin në një valë të re infektimesh.

Presidenti tha se qeveria do të ndalojë lëvizjen e qytetarëve nga ora 18 e së premtes deri të hënën në orën 5 të mëngjesit. Ai tha po ashtu se nuk do të lejohen tubime më me shumë se pesë veta së bashku. Ndërsa kritikët u shprehën se qytetarët nuk duhet të paguajnë çmimin e një mbylljeje tjetër.