Drejtori i FBI: Kina, kërcënimi më i madh për Amerikën

288
Sigal

Aktet e spiunazhit dhe vjedhjet e pronës intelektuale përbëjnë kërcënimin më të madh afatgjatë ndaj të ardhmes së Shteteve të Bashkuara, deklaroi drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Duke folur në Institutin Hudson në Washington, Wray përmendi një fushatë trazuese shumëplanëshe të cilën, siç tha, Kina e kishte nisur duke shënjestruar qindra disidentë kinezë në SHBA përmes shfrytëzimit të një përpjekjeje globale kundër korrupsionit, duke përdorur taktika shtrënguese për të detyruar kritikët të kthehen në Kinë, e duke punuar për kompromentimin e kërkimeve amerikane mbi koronavirusin. “Loja është më e fortë se kurrë.

Kina është angazhuar në një përpjekje të plotë shtetërore për t`u kthyer në superfuqinë e vetme me çdo mënyrë të mundshme”, deklaroi ai.

Fushata e quajtur “Operacioni Gjuetia e Dhelprave”, nisi në vitin 2014 si pjesë e lëvizjes gjithëpërfshirëse të Presidentit Kinez Xi Jinping kundër korrupsionit. Qëllimi i supozuar i programit ishte arrestimi i mijëra zyrtarëve dhe biznesmenëve të korruptuar që kishin ikur jashtë vendit. Por Wray tha se në realitet, “Operacioni Gjuetia e Dhelprave” nuk është një fushatë anti-korrupsioni. “Përkundrazi, Gjuetia e Dhelprave është një përpjekje gjithëpërfshirëse e Sekretarit të Përgjithshëm Xi për të vënë në shenjestër shtetasit kinezë që ai i sheh si kërcënim dhe që jetojnë jashtë Kinës, në të gjithë botën”, tha drejtori i FBI.

“Bëhet fjalë për rivalët politikë, disidentët dhe kritikët që po përpiqen të hedhin dritë mbi shkeljet e gjëra të të drejtave të njeriut në Kinë.”

Wray shtoi se pandemia e koronavirusit nuk e ka ndalur Kinën të kryejë operacione të fshehta ndikimi në SHBA.

“Puna kritike është kjo: Të gjitha këto presione që në dukje janë pa pasoja të shumëzohen dhe të krijojnë një mjedis politikëbërës në të cilin amerikanët e gjejnë veten në tytën e Partisë Komuniste Kineze”, tha ai.

Wray kujtoi se në një rast,  qeveria kineze dërgoi një “emisar” për të vizituar familjen e një individi në Shtetet e Bashkuara pasi ai nuk mund të gjendej për t’ia përcjellë një paralajmërim të rëndë, sipas shefit të FBI-së. “Individi i shënjestruar kishte dy mundësi: të kthehej menjëherë në Kinë, ose të bënte vetëvrasje”, deklaroi kreu i FBI-së.