Negociatat për “Brexit”, Juncker: Dyshoj tek uniteti i BE-së

435
Jean-Claude Juncker shprehu dyshimet e tij, nëse vendet e BE-së do të jenë të afta të mbajnë një front të përbashkët gjatë negociatave për “Brexit”.
Në një intervistë për radion gjermane “Deutschlandfunk”, presidenti i Komisionit Europian tha se britanikët dinë shumë mirë si të përballen me këtë çështje, ndërsa 27 vendet e tjera të BE-së kanë ende paqartësi.
Sipas tij, britanikët mund t’u ofrojnë vendeve të ndryshme të BE-së gjëra të ndryshme dhe përfundimi është se nuk do të ketë një front të bashkuar europian.
“A ka ardhur koha që 27 vendet e BE të tregojnë unitet, kohezion dhe koherencë? Unë them po, përsa i takon ‘Brexit’ dhe Trumpit, por kam dyshime që kjo të ndodhë. A duan hungerëzët dhe polakët të njëjtat gjëra që duan gjermanët dhe francezët? Kam dyshime serioze për këtë”, tha Jean-Claude Juncker, president i KE-së.
Juncker, dikur kryeministër konservator i Luksemburgut, tha gjithashtu se nuk do të kërkojë një mandat të dytë në krye të Komisionit Europian kur mandati i tij aktual të përfundojë në vitin 2019.
Sigal