Reportazh/ Vendin e Shtëpisë së Bardhë, e ka caktuar Presidenti i parë i Amerikës, Xhorxh Uashingtoni
Mё nё fund, u futёm brenda Kopshtit tё Shtёpisё sё Bardhё. Tё duket e çuditshme, se si vetёm pas disa hapave, t’i kalon nga monotonia, “rrëmuja e rrёmeti naimjan” i jetёs dhe punёs sё qytetit dhe hyn nё njё mjedis tjetёr rural, impresionues, çlodhёs e relaksues. Ke lёnё pas ushёtimёn karakteristike tё vargut tё makinave, nёpёr bulevardet e shumta tё Uashington DC-së dhe ja, veten e gjen nё njё mjedis tjetёr. Kёtu syri kёnaqet me bardhёsinё e Shtёpisё sё Bardhё e me gjelbёrimin vjeshtor tё Kopshtit tё famshёm tё kёsaj Shtёpie tё famshme. Veshёt kapin cicёrimёn e zogjve, zukatjen e bletёve, fёshfёrimёn e gjetheve, gurgullimin e ujit tё shatërvanit. Hunda ndjen aromën e luleve dhe trupi flladin e Kopshtit. Kёtё ndjesi e kanё tё gjithё vizitorёt.
Fundjava
Fundjava në kryeqytetin amerikan, Uashington DC, është e “ngarkuar” me turistë të shumtë nga Amerika, po edhe vende të tjerë të mbarë botës. Monumenti i Xhorxh Uashingtonit dhe ata të Presidentëve të tjerë, muzetë e shumtë, që nga ai i Aeronautikës, Arteve, Holokaustit e të tjerë, deri te memorialët, lulishtet, kopshtet (botanik e zoologjik), statujat, përmendoret, Capitol Hill-i, ministritё, lumi Potomak, qershitë e dhuruara nga japonezet etj., janë fokusi i vëmendjes dhe syrit të turistëve. Kryeqyteti amerikan është qytet modern. Ai nuk ka gradaciela si në New York, Çikago ose gjetkë nё qendёr tё qyteteve. Thuhet se me ligj nuk lejohen ndёrtesa të larta, që dalin mbi lartësinë e Capitol Hillit, ndërtesёs sё Kongresit. Turistin e tërheqin objektet, që sapo përmendëm dhe vende e objekte të tjerë. Por, mbi të gjitha, vizitori i Uashington DC-së nuk mund të largohet pa parë Shtëpinë e Bardhë dhe Kopshtin e saj. E kam parë disa herë, nga jashtё, këtë ndërtesë, ku jeton e punon Presidenti Amerikan. E kisha parë edhe nga dritaret e kateve 12-të e 13-të, të zyrave të një kompanie ligjore, ku punon djali im. Këtë radhë, nga sipër, por nga brenda jo e jo, as në kopshtin e saj nuk kisha hyrë ndonjëherë. Djali im dhe bashkëshortja e tij amerikane i kanë vizituar mjediset e brendshme të kësaj Shtëpie të famshme. Atje kanë takuar edhe Presidentin Barak Obama, në një pritje organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Nё pamundёsi pёr t’u futur brenda Shtëpisë, kisha dëshirë, tё paktёn, të vizitoja Kopshtin e saj. Dëshira, në një farë mënyre, është lutje, e cila dëshirё-lutje u shndërrua në fat, qё më çoi edhe mua të vizitoja një të diel Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.
Një të diel Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.
Nusja e djalit kishte siguruar katër bileta (Ticket honored) për orën 11:00 a.m. Biletat kishin në kopertinë skicën e gjetheve të lisit a të panjës, simbolin e gjetheve, që bien në vjeshtë. Skicimin e gjetheve e vëren edhe nëpër rrugët e qytetit, afër supermarketeve e kudo gjetkë nëpër pllakate. E përmenda orën, sepse vizitorët ishin aq të shumtë sa ishte e pamundur te dyndeshin të gjithë, në të njëjtën orë. Vargu i turistëve të orës 11-të ishte aq i madh, sa të kujtonte vargun pambarim të ushtarëve në marshimet e gjata stërvitore. Një varg tjetër, po kaq i gjatë, ishte i orës 10:30 a.m., një tjetër i orës 11:30 a.m e, më tej se, me siguri, do të vinin vizitorë të tjerë mё vonë. Punonjësit(et) e shërbimit dhe policët ishin të shqetësuar për të mbajtur rregullin. Tabelat, qё ata mbanin në dorё, tregonin se ku duhej të kalonin vizitorët e orëve përkatëse. Unë, me bashkëshorten dhe djali, me nusen e vet u orientuam nga tabelat e orës 11-të.
Siç shkrova në fillim tё kёtyre rreshtave, ne jemi tashmё nё brendёsi tё Kopshtit. Hedh sytë në vijë të drejtë: zbardhë Shtëpia e Bardhë. Hedh sytё përreth e poshtё. Jeshilon gjelbёrimi dhe, aty kёtu ndonjё gjethe e porsa rёnё, ka ngjyrё tё qelibartё. Historitё e Shtёpisё sё Bardhё dhe kёtij Kopshti tё blertё pleksen, si gёrshetё e thurur bukur, qё flet shumё. Ajo tregon se “rrugёt” e Shtëpisë Presidenciale dhe tё Kopshtit janё tё lidhura me Presidentёt amerikanё dhe me Zonjat e para tё tyre, por edhe me popullin amerikan.
Disa fakte
Këtë vend, ku është kjo Shtëpi, e ka caktuar Presidenti i parë i Amerikës, Xhorxh Uashingtoni, në vitin 1791. Ajo filloi tё ndёrtohet nё vitin 1792, por Uashingtoni nuk e gёzoi dot, pasi ndёrtimi i saj pёrfundoi më 1800, në muajin nëntor. Rezidenti i parё i kёsaj Shtёpie, ende tё pamobiluar, ishte Presidenti dytё i Amerikёs, John Adams, me gjithë familjen e tij. Ai dëshironte të kishte një Kopsht rreth Shtëpisë, por nuk e realizoi dëshirën, pasi aty qëndroi vetëm katër muaj, sepse u mund nga Presidenti Tomas Xheferson, në zgjedhjet elektorale. Pra, dёshira e Adamsit u trupëzua nga Presidenti Tomas Xheferson, i cili mbolli pemё dhe krijoi rrugё midis shkurreve. Po Shtёpia, çfarё “rrugё” bёnte, ndёrkohё? Ushtarët anglezë i vunë flakën asaj. mё 1812! Muret e saj u shkrumbuan dhe u nxinё nga tymi. Por, më tej, u rindёrtua. U ruajt arkitektura. Muret u ngjyen me bojё tё bardhё. Dhe ja, ku kemi pagёzimin e shtёpisё sё Presidentit Amrikan, me emrin “Shtёpia e Bardhё”, qё u ligjësua zyrtarisht nga Kongresi Amerikan, mё 1902. Pёrmendёm mё sipёr se Shtёpia dhe Kopshti kanё tё gёrshetuar historinё, ku edhe populli ka pjesёn e vet. Kolegia ime, Albana Lifschin, nё librin e saj “Udhёtim nё Historinё Amerikane” përmend diku se, pasi kishin kaluar 100 vjet nga ndërtimi, Shtëpia e Bardhё ishte vjetёruar. Ç’duhej bërë? Kjo pyetje filloi tё qarkullojë, në vitin 1948. Të riparohej Shtëpia apo të shembej, në vend të saj, të ndërtohej një rezidencë e re? Filluan letrat nga populli amerikan. Emëruesi i përbashkët ishte: “Shtëpia e Bardhë” ishte Shtëpia e Bardhë dhe kështu duhej të mbetej. Vullneti i popullit fitoi. Shtëpia u përforcua, por ajo mbeti ashtu siç kishte porositur Xhorxh Uashingtoni: “Një vend me simptomat e pallatit, konfortin e një shtëpie dhe simbol i harmonisë së vendit”.
Por, le të kthehemi atje, ku e lamë. Në vitin 1825, John Quincy Adams krijoi kopshtin e parë te luleve, në Juglindje të Shtëpisë Presidenciale. Me 1827, ai shkruante: “Kemi mbjellë, të paktën, njëmijë pemë, shkurre, perime, bimë medicinale e lule shtëpiake…”. Më 1835, Andrew Jackson mbolli qitro, trëndafila e sidomos magniolan, që u quajt:”Magnolia Xhekson”. Kopshti i Agrumeve u prish më 1857, sepse në atë vend u ndërtua Departamenti i Thesarit. Midis viteve 1878 dhe 1880 u mbollën mjaft pemë, nga Rutherford B. Hayes, i cili filloi mbjelljen e pemëve përkujtimore, nga ku nisi tradita, që vazhdon edhe sot. Nё broshurёn, qё kam nё dorё: “The White House-Fall Garden Tours” lexoj se ka qenё Zonja e parё, Patricia Nixon ,ajo qё ka hapur pёr herё tё parë turet sezonale tё Kopshtit tё Shtёpisё sё Bardhё. Aty, populli amerikan dhe turistёt e huaj nga mbarё bota, shijojnё bukuritё e kёtij mjedisi. Ka qenё viti 1972 dhe qё atëherë tradita vazhdon. Kënaqen sidomos fёmijёt,veçanërisht nё Festёn e Pashkёve, kur vijnё me dhjetëra mijëra fёmijё, tё cilёt gëzohen duke thyer vezёt e ngjyrosura.
Një moment
Dukej se unë kisha”humbur” në mendime. Më solli në realitet zëri i djalit, Andit, i cili më ftoi për të fiksuar një çast në aparatin fotografik. Shkova afër një lëndine të blertë për të pozuar. Mund të kisha devijuar ndonjë gjysmë këmbe nga asfalti i rrugës,gjysma tjetër, nga thembrat e këpucëve, kishte shkelur në gjelbërim, kur dëgjoj policin: “Kujdes, po shkel gjelbërimin!”. Nuk e di se si e qysh, por në mjedise të tillë kjo pakujdesi, që në Shqipëri të bën të vesh buzën në gaz në shenjë qesëndisjeje, këtu ky gjest të bën të skuqesh. Është mjedisi, që të detyron kulturën qytetare. Është kjo arsyeja që unë, i mësuar të kaloja nëpër rrugët e Tiranës plot me letra e papastërtia, pa u qederosur fare, këtu në Uashington, më vret sytë edhe një copë letër, e ndodhur aty nga pakujdesia e ndonjë kalimtari. Dhe unë, nga që pamje të tilla janë shumë të rralla e që bëjnë kontrast me të përgjithshmen, e marr atë dhe e hedh në koshin më të afërm të plehrave.
Të veçantat
Duke kaluar ngadalë nëpër Kopsht, të bien nё sy, veç gjelbërimit karakteristik tё barit nё lёndinё, si të fushës së futbollit, edhe pemët zbukuruese, me madhësi të ndryshme, sipas kohës së mbjelljes. Traditёn e punёs nё Kopsht tё presidentit Xheferson e ndoqi edhe John Quincy Adams, mё 1820-n. Ai ngrihej herёt nё mёngjes dhe mbillte bimё. Kёshtu edhe pasardhёsi i tij, Andrew Jackson shtoi nё kopёsht qitrot dhe magniolian, qё lulёzon çdo qershor. Zonja Obama sot e quan magniolёn “bimё magjike”.
Nё pjesёn veriore tё Kopshtit, Linkolni mbante fjalime. Franklin Ruzvelti e zgjeroi Kopshtin dhe e konfiguroi me synimin pёr tё parё qё andej Monumentin e Uashingtonit. Ajzenhaueri ishte i pari president, qё nё vitin 1957 pёrdori helikopterin, nё lёndinёn e Kopshtit.
Afër trungut të njё druri shikoj një foto tё vendosur në kornizë, për ta mbrojtur nga shiu e bora. Është e Presidentit Bush, në çastin e mbjelljes, ku shënohet edhe data e saj. Fotot janë të ndryshme. Në njërën shikon vetëm presidentin, në një tjetër presidentin me gjithë Zonjën e parë, diku vetëm zonjën e parë. Duke filluar qё nga viti 1870, shumica e Presidentëve kanё mbjellё pemё pёrkujtimore. Kёto pemё tё llojeve tё ndryshme pёrfaqёsojnё rrjedhёn historike, kohёn e qeverive tё tyre. Kopshtet krijohen, rriten e përshtaten, ashtu si edhe qeveritё, qё Presidentet pёrfaqёsojnё.





















