Merkel fiton zgjedhjet për herë të tretë në Gjermani, por e pafuqishme të krijojë maxhorancë

434
Sigal

Kancelarja Angela Merkel fiton shumicën dërrmuese të zgjedhjeve në Gjermani, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme qeverinë e re. Sipas exit-polleve, koalicioni i djathtë i përbërë nga Bashkimi Kristian-Demokrat, CDU dhe Bashkimi Kristian-Social,CSU, fituan 42 për qind të votave, që është rezultati më i thellë që prej vitit 1990. Megjithatë, aleatët kyç të Merkel, Demokratët e Lirë, siguruan vetëm 4.5 për qind të votave, duke mos arritur pragun prej pesë për qindësh, i nevojshëm për t’u përfaqësuar në Parlament me deputetë. Në këtë mënyrë, sipas analistëve, Merkel, e cila i drejtohet një mandati të tretë qeverisës, do të detyrohet të bëjë koalicion paszgjedhor me rivalët e qendrës së majtë, Partinë Social-Demokrate të Per Shtainbruk. Kjo forcë politike, sipas exit-polleve, ka marrë rreth 26.5 për qind të votave të gjermanëve. Bashkëpunimi i mundshëm mes të majtëve dhe të djathtëve në Gjermani nuk është i ri. Edhe në mandatin e parë të saj, gjatë periudhës 2005-2009, Merkel bashkëqeverisi me Social-Demokratët. Sipas ekspertëve, prania në qeverisje e SPD-së, do të bënte që në vend, të aplikoheshin politika të majta, si rritja e pagës minimale dhe shtimi i taksave për personat me të ardhura të larta. Pavarësisht kësaj, gjermanët treguan se i besojnë edhe njëherë projektit të Merkel, për rritjen ekonomike të vendit, shtimin e vendeve të punës, forcimin e Euros dhe konsolidimin e pozitave të Gjermanisë në Europë dhe më gjerë.

Në rezultatet e para, është shuar edhe frika e pranisë në parlament të një partie të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë. Kjo forcë siguroi vetëm 4.8 për qind të votave, 0.2 pikë më pak nga sa është pragu elektoral. Alternativa për Gjermaninë, një parti e krijuar në fillim të këtij viti, njihet si euroskeptike. Zgjedhjet e kësaj të diele shënuan edhe rritje të pjesëmarrësve ën votime. Krahasuar me vitin 2009, kur votuan vetëm 36.1 për qind e zgjedhësve, këtë herë, vullnetin e tyre e shprehën mbi 41 për qind e gjermanëve.