Mbreti i Spanjës në karantinë

369
Sigal

Pallati Mbretëror i Spanjës ka njoftuar se Mbreti Felipe VI do të qëndrojë në karantinë për dhjetë ditë në kuadër të masave paraprake, pasi ishte në kontakt me një person që rezultoi pozitiv me koronavirus (COVID-19) ditën e dielë.

Pallati Mbretëror përmes një deklarate theksoi se Mbreti Felipe VI do të jete në karantinë deri më 2 dhjetor, pa dhënë detaje për personin i cili ishte pozitiv me COVID-19. I gjithë programi zyrtar dhjetëditor i mbretit spanjoll është anuluar. Pallati Mbretëror tha se Mbretëresha Letizia dhe vajzat e tyre do të vazhdojnë aktivitetet dhe detyrat e tyre të zakonshme.

Ky është rasti i tretë i karantinës në familjen mbretërore që nga fillimi i pandemisë, pasi Mbretëresha Letizia në prill dhe Princesha Leonor në shtator gjithashtu ishin në karantinë për shkak të kontakteve me persona të infektuar. Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dje deklaroi se plani kombëtar i vaksinimit kundër COVID-19 do të fillojë në janar.

Ai pohoi se vaksina do të aplikohet në 13.000 vende në gjithë Spanjën dhe se “një pjesë shumë e rëndësishme e popullsisë” mund të vaksinohen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Sanchez tha se në Spanjë, shkalla e incidencës së të prekurve për 100.000 banorë ka rënë nën 400 në 14 ditë.

Spanja dje filloi të kërkonte testin negativ PCR për shumicën e njerëzve që mbërrijnë në vend nga ajri ose deti. Masa përfshin ardhjet nga 65 vende, duke përfshirë pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian. Ndërkohë, rajoni verilindor i Katalonjës lehtësoi disa nga kufizimet e rrepta për baret dhe restorantet dhe ngjarjet kulturore të imponuara që nga mesi i tetorit.

Megjithëse kufizimi i lëvizjes mbetet nga ora 22:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit, baret dhe restorantet në Katalonjë mund të kenë klientë me 30 për qind të kapacitetit të brendshëm, kurse objektet kulturore mund të funksionojnë me 50 përqind të kapacitetit.