Masa të rrepta në pikën e kufirit Muriqan për ndalimin e azilkërkuesve

527
Në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në Shkodër për në Malin e Zi policia kufitare dhe migracionit ka shtuar numrin e refuzimit të azilkërkuesve për të kaluar nga ajo doganë. Është vetë shefi i stacionit policor të kufirit dhe migracionit Ledio Ibrahimi ai i cili konfirmon shtimin e refuzimeve për azilkërkuesit.
“Kemi marrë një plan masash konkrete për fenomenin e azilkërkuesve. Ne bëjmë një intervistim të hollësishëm të personave që mund të kenë këtë tendencë. Po ashtu shohim edhe zonat që shfaqin më shumë tendencë për fenomenin e azilkërkuesve. Kështu ne kemi shtuar numrin e refuzimit të daljeve në kufi që nuk plotësojnë kushtet ose për destinacionin. Për këtë arsye ne kemi shtuar numrin e refuzimeve jo vetëm për ata që kanë qëllim të kërkojnë azil por edhe ata që merren me këtë punë për t’i dërguar qytetarët drejt shteteve europiane. Kemi bërë ndalime edhe të këtyre personave që organizojnë, duke bllokuar mjetet e tyre apo edhe me disa agjenci turistike që kërkojnë të abuzojnë”, tha Brahimi.
Kjo deklaratë erdhi gjatë një takimi me prefekturën e Shkodrës, drejtorinë rajonale të policisë Shkodër, shoqatën “Ëorld Vision” dhe vetë policinë kufitare për të diskutuar edhe për luftën ndaj trafikimit të qënieve njerëzore. Shefi i doganës Brahimi tha se janë bërë disa trajnime dhe se bëhet një kujdes i madh ndaj anti-trafikimit. 
“Për luftën ndaj trafikimit të qënieve njerëzore janë trajnuar efektivët tanë për një intervistim sa më të kujdesshëm me personat e dyshuar si viktima të trafikimit por edhe me ata që mund të jenë trafikuesit. Kontrolli i vijës së parë që ka dyshime ai njofton përgjegjësin e turnit që të bëhet një intervistim më i hollësishëm më vonë”-u shpreh Brahimi.
Ky takim në doganën e Muriqanit u inicuia nga prefektura e Qarkut Shkodër. Sekretarja e kësaj prefekture Felek Brahimi lidhur me luftën ndaj trafikimit deklaroi se dogana e Muriqanit është një pikë në të cilën trafikimi mund të bëhet lehtësisht si shkak i fluksit të madh të qytetarëve që kalojnë përmes asaj dogane.
“Në kuadër të zbatimit të një plan-veprimi të liftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore dhe zbatimit të strategjisë të zbatimit të kësaj problematike duke patur parasysh tashmë se në këto dy muaj ne kemi hyrë në sezonin turistik dhe numri i kalimit të qytetarëve nga kjo pikë është i madh. Duke patur parasysh fluksin e 10-të fishuar trafikimi i qënieve njerëzore mund të bëhet më i lehtë gjatë daljes apo edhe gjatë hyrjes nga dogana ndaj ne jemi këtu për të diskutuar dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme që pika e kalimit kufitar të jetë e sigurtë” deklaroi sekretarja e prefekturës së Shkodrës.
Deri tani nuk ka ndonjë rast të trafikimit të qenieve njerëzore përmes doganës së Muriqanit. Pavarësisht kësaj kontrollet dhe vëmendja janë të rrepta për ta bërë doganën e Muriqanit sa më të sigurtë. 
Sigal