Lufta civile në Siri, Kerry takim me Lavrov

501
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u takuan sot për të diskutuar mbi luftën civile në Siri. Takimi zhvillohet në klimën e pikëpyetjeve, nëse bisedimet e paqes midis qeverisë dhe opozitës do të mund të zhvillohen sipas planifikimit, më 25 janar.
I pyetur nga një gazetar se a do të ndryshojnë planet për bisedimet, zoti Lavrov tha se kjo do të shihet. Ai i bëri komentet në Zyrih, në prag të takimit me sekretarin amerikan të shtetit John Kerry.
Zoti Lavrov tha se çështja se kush do ta përfaqësonte opozitën në bisedime, ishte kryesisht diçka që i takonte të dërguarit të posaçëm të OKB-së Steffan de Mistura dhe jo dy shefave të diplomacisë. Kerry nuk ka komentuar; po ashtu edhe zëdhënësja e zotit De Mistura.
Kombet e Bashkuara thanë të hënën se nuk do të bënin ftesa për bisedime derisa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, dy fuqitë e mëdha që po shtyjnë përpara procesin e paqes, të bien dakord se cilët përfaqësues të opozitës siriane do të marrin pjesë. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mbështesin anët e kundërta në konfliktin sirian.
Departamenti amerikan i Shtetit, tha javën e kaluar se Kerry dhe Lavrov kishin rënë dakord që bisedimet e paqes për Sirinë, ku të përfshihej qeveria dhe grupet e opozitës, të zhvilloheshin më 25 janar sipas parashikimit, pa kushte paraprake.
Rusia dhe Irani, vende që mbështesin presidentin sirian Bashar al-Assad, kanë hedhur poshtë përpjekjet e Arabisë Saudite për të organizuar opozitën siriane dhe delegacionin për bisedime. Arabia Saudite, ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane, është kundër presidentit Assad.
Një këshill i opozitës siriane, i formuar në Riad muajin e kaluar, tha sot se nuk do të shkojë në negociatat e paqes në qoftë se në bisedime merr pjesë një palë e tretë. Këshilli i referohej përpjekjeve ruse për të përfshirë grupe të tjera në këtë proces.
Riad Hijab, i cili kryeson këshillin, akuzoi Rusinë për pengimin e negociatave. Ai tha gjithashtu në një konferencë shtypi në Riad se opozita nuk mund të negociojë, ndërkohë që sirianët vdesin si pasojë e bllokadave dhe bombardimeve.
Sigal