Ligji “Për kthimin e pronave”, komisioni rrëzon ndryshimet

475
Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dhe rrëzoi të mërkurën disa ndryshime në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, i propozuar nga deputetja e PD-se, Jozefina Topalli.
E pranishme në komision, deputetja Topalli prezantoi nismën ligjore, duke theksuar se qëllimi i saj është shtyrja me një vit e afatit të procesit së njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Kjo për një arsye, që për bazë ka vendimet e gjykatës, jo vetëm vendimin pilot të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, por vendime të shumta të Gjykatës së Strasburgut, në lidhje me çështje të pronave në disa raste, theksoi Topalli.
Zv/ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, tha se pr/ligji i propozuar nga deputetja Topalli krijon përplasje me ligjin që pritet të hyjë në fuqi dhe nuk garanton një zgjidhje të problematikës së ish-pronarëve. Sipas tij, thelbi i gjithë ligjit të vitit 2004, që propozohet të ndryshohet nga znj. Topalli, është pikërisht ligji që ka prodhuar kaos përpara Gjykatës së Strasburgut. “Qeveria i qëndron ligjit të propozuar dhe na duket e palogjikshme që të shtyhet afati i një ligji, ndërsa presim të miratohet një ligj i ri”, tha zv/ministri Peçi.
Ndërsa relatorja e pr/ligjit, deputetja Vasilika Hysi, theksoi në fjalën e saj se drafti i paraqitur nga deputetja Topalli nuk jep zgjidhje të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke shtuar se ai bie ndesh me dekretin e presidentit, i cili u rrëzua një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve.
Gjithashtu, komisioni ratifikoi sot dhe marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe BERZH për lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit. (ATA)
Sigal