Kur shembej Muri. Bisedat telefonike mes George H. W. Bushit dhe Helmut Kohlit

670
SEKRET 8520

SHTEPIA E BARDHE WASHINGTON

MEMORANDUM I BISEDES TELEFONIKE

LENDA: Thirrje telefonike nga Kancelari Helmut Kohl i Republikës Federale të Gjermanisë PJESEMARRES: Presidenti Bush, Helmu Kohl, Kancelar Robert Hutchings, Stafi i Këshilit Kombëtar të Sigurisë (rregjistrues i bisedes)

DATA, KOHA DHE VENDI: 23 Tetor, 1989; 09:02 – 09.26 a.m.; Zyra Ovale

Telefonatën e bëri Kancelari Kohl
Presidenti: Si je?
Kancelari Kohl: Mirë. Më bëhet qejfi që të dëgjoj zërin. Pashë pamje të vizitës tënde në San Francisco dhe shpresoj që të jesh në gjendje të japësh sa më shumë mbështetje të jetë e mundur për atë tragjedi.

Presidenti: Eshtë e tmerrshme, por autoritetet atje po veprojnë shumë mirë. Në këtë drejtim, ne do të ndihmojmë me sa të mundemi.

Kancelari Kohl: Dua të të flas shkurtimisht se si i shoh unë ngjarjet në Hungari, Poloni dhe në RDGJ. Njerëzit janë jashtëzakonisht shumë kurajozë si dhe shumë të vendosur. Qeveria aktuale është duke ndërmarrë një rrezik shumë të madh: ndryshimet e kanë në vetvete origjinën e tyre tek lëvizja për reformë në Partinë Komuniste, por nuk është aspak e sigurtë që reformatorët do të marrin meritat dhe shpërblehen gjatë zgjedhjeve. Eshtë shumë e mundur që Partia do të dalë vetëm e dyta, dhe mund të ketë një koalicion. Ne i kemi mbështetur shumë energjikisht hungarezët. Në dhjetor, unë do të shkoj vetë atje dhe do të qëndroj dy ditë, për të ofruar mbështetje edhe nga ana vizive.

Presidenti: Ku do të shkosh?

Kanceari Kohl: Do të shkoj në Budapest dhe ndoshta edhe në një qytet tjetër, por kjo nuk është e sigurtë. Atje, situata ekonomike është relativisht e mirë. Ata mund t’ia dalin mbanë, ndonëse dy vitet e ardhshëm do të jenë vendimtarë. Në 9 nëntor unë do të shkoj në Poloni dhe do të qëndroj atje për katër ditë. Negociatat tona praktikisht janë përmbyllur. Unë do të bëj gjithë sa mundem për të mbështetur qeverinë e re, sidomos në fushën ekonomike. Bashkë me Komunitetin Evropian, kam qëllim që të ofroj asistencë në burimet njerëzore. Në duhet ta them troç, me sa duket atje pikërisht ky është problemi: ka shumë vullnet të mirë dhe shumë ide të mira, por polakët nuk dinë se si t’i zbatojnë në praktikë. Ata duhet të realizojnë reforma të monedhës, një sistem të ri bankar si dhe hapa të tjerë për të hapur ekonominë dhe për ta bërë të orientuar nga tregu. Unë do të bëj gjithë sa mundem dhe gjithashtu do të kem parasysh si dhe do të punoj mbi ato që ti më ke sugjeruar, me qëllim që veprimtaria e Perëndimorëve të jetë homogjene. Mendimi im është se miqtë dhe partnerët tanë perëndimorë duhet të bëjnë më shumë. Ka një dallim të madh ndërmjet fjalëve dhe veprave. Gjithashtu, dëshiroj të hyj në një fazë të re me polakët, 50 vjet pas shpërthimit të luftës. Në Republikën Demokratike Gjermane, ndryshimet janë shumë dramatikë. Asnjëri prej nesh nuk mund të bëjë një prognozë. Nuk është e qartë nëse i sapoardhuri do të ketë vendosmërinë dhe forcën për të kryer reformat. Gorbaçovi më tha se kish inkurajuar reforma gjatë vizitës së tij, por nuk jam i sigurtë se sa kurajoz do të jetë ai [udhëheqësi i ri i partisë dhe i shtetit, Egon Krenz]. Ka shumë shqetësim mes popullsisë. Gjërat do të bëhen të paparashikueshme nëse nuk do të ketë reforma. Interesi im është të mos shoh shumë njerëz që largohen nga RDGJ, pasi pasojat atje do të ishin katastrofike. Sipas vlerësimeve tona, deri në Krishtlindje do të kemi një numër total prej 150 000 refugjatësh, me një moshë mesatare nën 30 vjeç. Pika ime e fundit ka të bëjë me klimën në median e Nju Jorkut, Londrës, Hagës, Romës dhe Parisit, që e thënë troç, trumbeton me të madhe se tashmë gjermanët janë të përkushtuar në Ostpolitikën si dhe bisedimet për ribashkimin dhe se ata janë më pak të interesuar për Komunitetin Evropian dhe Perëndimin. Kjo është absolutisht marrëzi! Unë do të shpjegoj në mënyrë të vazhdueshme si dhe do të shpall po vazhdimisht qëndrimin tim. Në fillim të janarit, unë do të shkoj në Paris për të mbajtur një fjalim në një konferencë madhore. Do ta them publikisht – gjithashtu edhe krahut të majtë në RFGJ – se pa një NATO të fortë, pa zhvillimin e domosdoshëm të KE, asnjë prej këtyre zhvillimeve në Paktin e Varshavës nuk do të kishin ardhur. Kam një bindje të palëkundur për këtë, dhe ky do të jetë mesazhi im. Gjithashtu, do të ishte mirë që edhe ti, sa më shpejt të jetë e mundur, të japësh publikisht një mesazh që progresi në çarmatim dhe ndryshimet në lindje janë të mundura vetëm nëse qëndrojmë të bashkuar.

Presidenti: Jam absolutisht dakord. I kam lexuar disa prej atyre artikujve, por unë e di cili është qëndrimi juaj dhe e di se ku rreh zemra e Gjermanisë. Forca e NATO-s ka bërë të mundur këto ndryshime në Evropën Lindore. Po shohim një vërshim artikujsh në lidhje me ribashkimin e Gjermanisë, sipas të cilave kjo do të sjellë një Gjermani neutraliste dhe një rrezik për sigurinë e Perëndimit. Ne nuk i besojmë. Ne po përpiqemi të reagojmë me shumë maturi dhe me kujdes ndaj ndryshimeve në RDGJ. Kemi një respekt shumë të madh për mënyrën se si RFGJ, nën udhëheqjen tënde e ka përballuar këtë situatë. Ke bërë një punë të mrekullueshme.
Unë e di se Horst [Teltschik, këshilltari për sigurinë i Kancelarit] do të vijë së shpejti. Ne mezi presim të flasim me të në lidhje me këtë temë si dhe në lidhje me Poloninë dhe Hungarinë. Ne po na vijnë kritika në Kongres nga ana e Liberal Demokratëve, që thonë se duhet të bëjmë më shumë për të nxitur ndryshimet, por unë nuk do të nxitoj aq shumë e të tregohem i pakujdesshëm. Për Poloninë, Kongresi po na kërkon që të hedhim më shumë para, por ne po ecim përpara në përpjekjet tona. I kërkova Kongresit tonë që të miratonte një grant 200 milionë dollarë, që do të ishte kontributi ynë për fondin 1 miliardë dollarë të stabilizimit, që ka kërkuar qeveria polake. E konsideroj me rëndësi jetike që ne të ndihmojmë Poloninë, teksa kjo implementon programin e vet të reformave në kuadrin e një marrëveshje të FMN. Unë po dërgoj gjithashtu një ekip të nivelit të lartë nga sektori publik dhe privat për t’u konsultuar me polakët dhe për t’i ndihmuar, në një kohë që po vendosin se si duhet t’i implementojnë këto reforma.

Kancelari Kohl: Këtë e konsideroj një hap shumë të rëndësishëm, sidomos që të kemi njerëz nga sektori publik dhe ai privat. Do të të kërkoja që ndonjë prej bashkëpunëtorëve të tu të telefononte Teltschik për të diskutuar në lidhje me këtë. Ne kemi një qasje të njëjtë, të cilën e diskutuam edhe me Z. Delor. Duam që edhe KE të bëjë të njëjtën gjë. Pas udhëtimit tim në Poloni, do të dërgoj Horstin që të diskutojë për këto gjëra.

Presidenti: A është Horsti këtu tani?

Kanceari Kohl: Ai ishte në Nju Jork disa ditë më parë. Herën tjetër do t’i them që të vijë.

Presidenti: Mendova se ai do të vinte në Uashington.

Kanceari Kohl: Jo, ai është kthyer tashmë.

Presidenti: Do t’i kërkoj Gjeneralit Scoucroft që t’i telefonojë.

Kancelari Kohl: Kur të dojë.

Presidenti: Duhet të mblidhemi për një seancë informale, ndoshta për pak orë në Camp David.

Kancelari Kohl: Do të mendohem dhe për të gjetur një kohë se kur mund ta bëjmë. Do të duhet të jetë brenda një dite.

Presidenti: Po, mund ta bëjmë. Eshtë e rëndësishme që të diskutojnë në lidhje me gjendjen në Evropën Lindore. Unë do të takohem me Thatcherin në Ditën e Falënderimeve. Eshtë e rëndësishme të jap një sinjal për rëndësinë që unë i vë marrëdhënieve të SHBA me RFGJ-në, sidomos tani që dëgjojmë dhe shohim artikuj të tillë keqinformues në media.

Kancelari Kohl: E kuptoj dhe mendoj se është një ide shumë e mirë.

Presidenti: Le të qëndrojmë në kontakt. Gjenerali Scoucroft do të telefonojë Horstin dhe do t’ju thotë më shumë në lidhje me qasjen tonë sa i përket Polonisë si dhe mbështetjen tonë për fondin e stabilizimit. Më lejo gjithashtu të të them se e vlerësoj shumë këtë telefonatë.

Kancelari Kohl: Faleminderit. Do të të telefonoj sërish përpara se të shkoj në Poloni, diku rreth 6 apo 7 dhjetorit.
Fundi i bisedës telefonike
Sigal