Kroaci, firmoset memorandumi i bashkëpunimit për rrjetin e gazit

457
Vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore bashkojnë përpjekjet për ndërtimin e një infrastrukture të munguar të rrjeteve të gazit si mundësi për diversifikimin e burimeve dhe sigurinë e furnizimit me energji.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri mori pjesë në takimin e Grupit të Nivelit të Lartë të inisiativës për rrjetin ndërlidhës të Gazit i cili u organizua në Dubrovnik nga Komisioni Europian dhe Ministria e Zhvilimit Ekonomik të Kroacisë.
Ministri Gjiknuri në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e veçantë që ka procesi i ndërlidhjes së Gazit në Europën Qendrore dhe Jug-Lindore (CESEC) dhe ndikimi i tij direkt në sigurinë dhe diversifikimin e furnizimit me burime të reja energjetike të rajonit dhe më gjerë. Z.Gjiknuri vlerësoi gjithashtu edhe rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në një proces të tillë të ideuar dhe drejtuar nga Bashkimi Evropian me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministri Gjiknuri u ndal konkretisht tek fakti se Korridori Jugor i Gazit, pjesë e të cilit është edhe gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), duhet të shihet si një ndër projektet kyçe të infrastrukturës së gazit në Europë. Duke patur në konsideratë që projekti TAP është i përfshirë në listën e Projekteve Prioritare të CESEC, Ministri Gjiknuri theksoi në mënyrë të veçantë rëndësinë që ka përfshirja e projektit të gazsjellësit Jonian Adriatik (IAP), në grupin e projekteve potenciale të CESEC, gjë e cila u mor në konsideratë.
Nga përfaqësues të BEI dhe të BERZH u prezantuan qëndrimet dhe vlerësimi i këtyre institucioneve të rëndësishme financiare, përsa ka të bëjë me çështjet kryesore të analizimit të maturisë dhe efektivitetit financiar të projekteve të ndërlidhjes të përfshira në Planin e Veprimit, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së tyre.
Gjatë diskutimeve u prezantuan materiale për disa projekte të rëndësishme të zhvillimit të sektorit të gazit nga ana e kompanive lider në këtë fushë si Exxon, BP, SOCAR, Cherniere, etj.
Në këtë takim ishin të pranishëm zv.Presidenti i Komisionit Evropian Maros Sefcovic, Komisioneri Evropian për Energjinë Miguel Arias Canete dhe ministrat e energjisë së Shqipërisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Italisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Ukrainës. Në takim morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të lartë të ministrive të energjisë nga Republika e Kosovës dhe Mali i Zi, Drejtori i Sekretaritit të Komunitetit të Energjisë, z. Janez Kopac, si dhe përfaqësues të mjaft kompanive të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale të gazit dhe energjisë.
Pjesëmarrësit në tryezë firmosën një Memorandum Mirëkuptimi, dokument i cili skicon rrugën për një integrim më të ngushtë të tregjeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Komunitetit të Energjisë. Forcimi i rregullatorit dhe bazës ligjore të tregut, vlerësohet se do të ndihmojë për përmirësimin e klimës së investimeve në këto vende nënshkruese.
Puna nën iniciativën e Komisionit Evropian për ndërlidhjen e rrjetit të gazit në Evropën Qendore, Lindore dhe Juglindore nuk do të fokusohet vetëm tek ndërtimi i gazsjellësve të rinj, por gjithashtu në gjetjen e rrugëve për të shfrytëzuar maksimalisht infrastrukturën ekzistuese. Disa prej projekteve të kësaj infrastrukture si Gazsjellësi Trans-Adriatic (TAP), terminali LNG në Kroaci dhe sistemi i evakuimit, interkonektorët mes Greqisë dhe Bullgarisë apo mes Serbisë dhe Bullgarisë janë identifikuar si ndër prioritetet kryesore në planin e veprimit bashkëlidhur memorandumit.
Në përgjithësi, projektet do të financohen nga pjesëtarët e tregut por kur do jetë e nevojshme për kompletimin e tyre, do të merret në konsideratë edhe përfshirja e Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Promovuesit e projekteve inkurajohen veçanërisht të përdorin mundësitë që ofrohen nga Fondi i ri Evropian për Investimet Strategjike.
Sigal