Kriza, nis ‘bllokada’ e emigrantëve, Austria vendos kuotat ditore

Ashtu sikurse edhe ishte paralajmëruar, Austria ka prezantuar kuotat ditore për emigrantët. Qeveria ka njoftuar se duke filluar nga dita e premte, ne vend do të pranohen vetëm 80 kerkësa për azil në ditë.
Megjthatë, vendi nuk do të mbyllë dyert për refugjatët që do të kërkojnë të kalojnë në Austri me qëllim mbërritjen e vendeve të tjera. Në bazë të komunikatës, kufiri do të mund të kalohet nga një maksimum prej 3.200 refugjatësh në ditë. Austria ka qënë rrugë më e përdorur e emigrantëve që kanë patur si destinacion Gjermaninë.
Për mediat u prononcua ministria e Brendshme, Johanna Mikl-Leitner, e cila tha se Austria ishte e detyruar që të aprovonte kuotat ditore në kushtet kur Bashkimi Europian nuk ka arritur të gjejë zgjidhje për krizën e azil-kërkuesve.
Qeveria austriake pranoi rreth 90.000 kërkesa për azil në vitin 2015, gjë që përbën afro 1% të popullsisë së saj. Megjithatë, zyrtarët kanë komunikuar se ky numër do të reduktohet në 37.500 gjatë këtij viti.
Zyrtarët Europianë druhen se ky vendim mund të shkaktojë një efekt domino, nga i cili mund të preken të gjitha shtetet ballkanike, pasi shumë prej emigrantëve mund të mbeten të bllokuar. Situata më problematike mbetet në Greqi, ku mijëra emigrantë presin me ditë të tëra për të kaluar kufirin maqedonas. Në prag të samitit të liderve të BE-së, kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje që marrëveshja e firmosur me Turqinë, për të zvogëluar fluksin e emigrantëve të zbatohet plotësisht.
NOA