Kriza ekzistenciale e kombit malazez

241
Sigal

Rregjistrimi i popullsisë në Mal të Zi është nëna e të gjithë betejave, kështu e përshkruan rregjistrimin e popullsisë në Mal të Zi, të planifikuar për vitin e ardhshëm, shkrimtari i njohur malazez Andrej Nikolaidhis. Rregjistrimi i popullsisë është bërë çështja më e rëndësishme për mbijetesën dhe qëndrueshmërinë e Malit të Zi si komb dhe si shtet më vete. Sepse, pasiqë forcat proserbe fituan zgjedhjet parlamentare dhe arritën pas më shumë se  32 vitesh të largojnë nga pushteti DPS-në e Presidentit Millo Gjukanoviç, tani i kanë përqendruar të gjithë fuqitë në grumbullimin statistikor të të dhënave, në mënyrë që, thënë thjesht, numri i serbëve të jetë më i madh sesa ai i malazezëve. Me këtë do të vërtetohej mantra e përhershme e programit nacional të Vuçiçit mbi “botën serbe” në Mal të Zi si edhe një shtet tjetër serb, dhe do të shtynte mënjanë malazezizmin dhe do ta shndërronte në një njësi krahinore apo folklorike në kuadër të identitetit nacional kulturologjik dhe fetar.

Në Mal të Zi është ndezur alarmi i kuq, sepse ky rregjistrim i ardhshëm i popullsisë, i cili po shfaqet në horizontin e dyshimeve malazeze, mbart në vetvete përgjigjen për mbijetesën e malazezëve dhe Malit të Zi si identitet kulturor dhe etnik të veçantë. Si për njërën palë ashtu edhe për tjetrën rregjistrimi është vendim i tipit “tani ose kurrë”, sepse pas kësaj, të dyja palët janë të vetëdijshme se nuk do të jetë më gjendja e njëjtë. Sepse, gjithandej nëpër mbarë botën shtetet po grumbullojnë të dhëna statistikore nga më  të ndryshmet mbi popullsinë në territorin e tyre- sesa kanë gjithsejt si numër, sa është metër katrori i banesave, sa ka martesa dhe divorce, deri te arsimimi dhe punësimi. Vetëm në Mal të Zi ky deklarim bëhet vetëm për tri pyetje- çfarë kombësie, çfarë besimi fetar dhe çfarë gjuhe! Kanë filluar tashmë diskutimet për këtë punë dhe rregjistrimi është shndërruar në një çështje politike.

Garimi mes serbëve dhe malazezve ka filluar tashmë, sepse nga ajo sesa do të jenë apo sa ka më shumë varet e ardhmja dhe fati i kësaj republikës së dikurshme më të vogël jugosllave. Forcat proserbe dhe vetë Serbia tashmë kanë filluar fushatën në lidhje me rregjistrimin, ndërsa historiani serb Aleksandër Rakoçeviç, i njohur si një prej ideologëve të konceptit të “botës serbe”, ka vënë si detyrë se serbët duhet të jenë më shumë sesa janë aktualisht, rreth 45%, ndërsa malazezë, sipas përllogaritjeve të tij, më së shumti rreth 30%. Rregjistrimi është detyra e parë e “botës serbe” e cila sipas konceptit serb mbështetet në katër shtylla: kulturo-civilizuese, gjeopolitike, religjoze dhe të politikës së jashtme. “Ai do të duhet të grumbullojnë dhe integrojnë ‘diasporën’ rreth bërthamës- Serbisë, ndërsa Aleksandër Vuçiçi do të duhet të mendojë për serbët në rajon, ndërsa ata do të ‘udhëhiqen’ sipas nevojave dhe kërkesave të Beogradit (dhe të Moskës). Serbët në rajon, në telekomandën e Vuçiçit, bëjnë pikërisht politikën e tij, dhe jo politikën e shteteve pjesë e të cilëve janë. Me këtë Vuçiçi mund të ndikojë në politikën e shteteve ku ka serbë”, thotë Zharko Koraçi. Kujtojmë se sot në Mal të Zi ka 45% malazezë dhe 32% serbë, megjithëse në radhët e serbëve pohojnë se më së paku ata duhet të jenë 38%.

“Nuk ka asnjë dyshim se rregjistrimi i paralajmëruar është qëllimi kyç i programit nacionalist serb. Këtu nuk ka asgjë të diskutueshme dhe të fshehur, dhe për këtë ka folur haptazi disa herë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka porositur në mënyrë eksplicite se rregjistrimi është çështja më e rëndësishme e politikës nacionale serbe në Mal të Zi”,  na thotë historiani Adnan Prekiç nga Universiteti Mali i Zi në Podgoricë.

“Ose je serb ose je Millogorac (lojë fjalësh nisur nga emërtimi crnogorac-malazez, Millorac, d.m.th. qytetar i Malit të Zi që i përket Millos. Shënimi im). Quaju me emrin e paraardhësve tuaj. Deklarohu si serb ‘në mënyrë që të mos ketë ngatërresa që përsëri disa serbë të shënohen si malazezë- serbët janë serbë” shkruhet në një prej shumë shpalljeve që u bëjnë ftesë njerëzve që t’i përgjigjen “masivisht” rregjistrimit.

Mediat serbe nën kontrollin e Vuçiçit kanë shpikur dhe këmbëngulin në termin “millogorac” si mënyrë për të treguar se ata që deklarohen si malazezë nuk janë veçse një kategori e shpikur etnike por politike e cila lidhet vetëm me emrin e Millo Gjukanoviçit dhe politikës së tij, gjë me të cilën duan të sugjerojnë se në fakt nuk ka malazezë vetëm ata që kanë ndonjë interes politik, lukrativ ose korporativ.

Andrija Popoviçi nga Partia Liberale mendon se është e vështirë të mbahet rregjistrimi i qetë i popullsisë në këtë situatë dhe nën një fushatë të tillë nga Serbia, në një kohë që Frontit radikal të djathtë Demokrat i sugjerojnë se “përfundimisht njerëzit mund të deklarohen se çfarë janë”. Për shkak të këtyre tensioneve që mbart rregjistrimi i popullsisë janë hedhur ide mbi shtyrjen e tij: Emilio Llabudoviç, Kryetar i Shtëpisë serbe në Podgoricë, mendon se me shtyrjen e rregjistrimit do të ruhej gjendja në të cilën në Mal të Zi ka më shumë malazezë sesa serbë. Por, nga qendra e Podgoricës për Tranzicion kanë propozuar që, sipas shembullit të shumë vendeve europiane, në rregjistrim të mos shënohen tri çështjet kresore mbi kombin, besimin fetar dhe gjuhën, në mënyrë që të evitohen ndarjet e mëtejshme dhe konfliktet në gjirin e shoqërisë dhe qënies kombëtare malazeze, e cila është edhe kështu e ndarë sa nuk mban më.

Adnan Prekiçi na thotë se ashpërsimi do të ndodhë patjetër sepse elitat politike dhe kulturore serbe e përjetojnë rregjistrimin e popullsisë si përgatitje për ridefinimin e konceptit të shtetit bashkëkohor serb. “Për këtë ka folur prej kohësh lideri i Frontit Demokratik Andrija Mandiç, njeriu i cili që prej tri vjetësh koordinon çdo lëvizje politike në komunikim direkt me Vuçiçin”, thotë Prekiçi.

Mandiçi që është edhe vojvodë çetnik, porosit se qëllimi “i politikës kombëtare serbe në Mal të Zi është rregjistrimi i popullsisë, ose më mirë të themi ndryshimi i strukturës nacionale në të cilën do të rritej në mënyrë të ndjeshme numri i atyre që deklarohen si serbë”. Në këto rrethana, nënvizon Prekiçi, do të krijoheshin kushtet për ndryshimin e konceptit kushtetues të shtetit serb.

“Në vend të shtetit qytetar, në të cilin individi pa marrë parasysh përcaktimin e  tij nacional apo fetar, është mbartës i sovranitetit, do të krijohej bashkësia e popujve, e cila shpesh krahasohet me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Kjo do të thoshte që Mali i Zi të shndërrohej në një shtet të ngjashëm me Bosnjë e Hercegovinën, gjë e cila në mënyrë të padiskutuesme do të sillte ashpërsimin e marrëdhënieve sepse  tërë koncepti i ndërtimit të shtetit modern euroatlantik bazohet në konceptin e shtetit qytetar”, nënvizon Prekiçi. Sipas tij mungesa e një roli aktiv të Brukselit dhe Uashingtonit në këto dhjetë vitet e fundit ka ndikuar në një masë të madhe në këto probleme. Rusia ka mbështetur në mënyrë aktive këtë politikë të Serbisë sepse asaj i intereson destabiliteti i rajonit dhe problemet e hapura në Kosovë dhe në Mal të Zi për të ruajtur ndikimin e saj, vazhdon Prekiçi.

Ai nënvizon se duhet kuptuar se qëllimi kryesor i Rusisë në këtë territor është gjenerimi e destabilitetit, gjë për të cilën mbështet vazhdimisht aksione të tilla të Vuçiçit dhe Millorad Dodikut.

“Ndryshimet në SHBA mund të jenë një shenjë e mirë. Sepse me presidentin e ri amerikan Xho Bajden, i cili i njeh mirë kushtet në rajon, janë më të mëdha shanset për arritjen e stabilitetit të rajonit dhe nuk ka dyshim se zgjidhja e çështjeve të hapura rajonale do të kufizojë plotësisht ndikimin malinj të Rusisë në këto territore”, thekson Prekiçi.

Rolet pra janë të mëdha. Serbia është në ofensivë, të cilën për hir të së vërtetës mund ta frenojë dhe lëkundë ndryshimi në Shtëpinë e Bardhë, sepse ata kanë bërë haptazi tifozllëk për Donald Trampin, e tani vjen një administratë që do t’i shohë ndryshe problemet ballkanike. Në këtë ofensivë ajo sheh shansin e saj, ndoshta të fundit, për realizimin e programeve të Memorandumit të Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) dhe të Sllobodan Millosheviçit të cilin Vuçiçi e ka rianimuar. Kujtojmë se Vuçiçi ka thënë për Millosheviçin se “ka patur synime të mira për të mbrojtur interesat serbe”, por ka shtuar se ai synon të jetë më efikas sesa Millosheviçi.

Mali i Zi, i cili në këtë rast bie në dorën e tij, do të ishte njëfarë lehtësimi për njohjen e domosdoshme të Kosovës, e cila mund të “pritet” në katër vitet e ardhshme të mandatit të Bajdenit. Pritet që fjalën kryesore rreth rregjistrimit të popullsisë ta ketë Kisha Ortodokse serbe, ose më mirë të temi Mitropolia malazeze dhe e bregdetit, e  cila pas vdekjes së udhëheqësit të saj shumëvjeçar Amfiohije, është në njëfarë telashi për zgjedhjen e trashëgimtarit të tij.

Nga Kisha Ortodookse serbe flasin se rregjistrimi i popullsisë është “koha e marrjes së vendimit” dhe nuk të çudit fakti se i paralajmërojnë qytetarët që të mos harrojë se “kush mundësoi fitoren në zgjedhje për rrëzimin e diktatorit Millo Gjukanoviç”. Kisha Ortodokse serbe është aktivizuar në mënyrë të veçantë në fundin e vitit të kaluar, kur u votua ligji për lirinë e besimit fetar, të cilin ajo e perceptoi si goditje kundër interesave të saj dhe zvoglim të ndikimit dhe të elementëve serbë në Mal të Zi. Në frikë nga humbja e mundshme, filluan lojërat përmbyllëse në Mal të Zi, që do të thotë për ruajtjen e serbizmit të tij malazez. Me këtë ligj kërkohet që bashkësitë ekzistuese kishtare të rregjistrohen në shtetin ku veprojnë. Kisha Ortodokse serbe është në panik për shkak të forcimit të Kishës Ortodokse malazeze e cila i ka kërkuar Patriarkut të Stambollit të njohë autoqefalinë e saj.

“Në Kishën Ortodoske serbe janë të bindur se me këtë akt ajo do të humbiste ndikimin politik, identitar dhe nacional serb në shoqërinë malazeze. Këtë gjë e treguanm më së miri zgjedhjet parlamentare dhe përfshirja e Kishës Ortodokse serbe në procesin zgjedhor. Nuk duhet harruar se DPS-ja e Gjukanoviçit në këto zgjedhje parlamentare nuk pati një rezultat të keq, përkundrazi ajo fitoi pak a shumë të njëjtin numër votash. Megjithatë, Amfilohija dhe Kisha Ortodokse serbe arriti të nxjerrë në zgjedhje pothuajse 40.000 zgjedhës, rreth 10% të trupit zgjedhor, që kurrë më parë nuk kishin votuar”, nënvizon Prekiçi.

Sipas tij ishin  pikërisht këta njerëz që siguruan vota më  shumë dhe mundësuan humbjen e DPS-së së Gjukanoviçit. Por, historiani malazez mendon se problem shtesë për Kishën Ortodokse serbe në Mal të Zi është fakti se me largimin e Amfilohijes janë krijuar kushtet që Vuçiçi, nëpërmjet Sinodit dhe Kuvendit të Kishës Ortodokse serbe të marrë kontrollin e plotë ndaj Kishës Ortodoksr serbe në Mal të Zi, gjë që ka shkaktuar shqetësim te kleri lokal i cili në kohën e Amfilohijes ka funksionuar mjaft i pavarur nga Beogradi. Ajo që është krejtësisht e sigurtë është fakti se Kisha Ortodokse serbe në Mal të Zi, pavarësisht nga të gjitha, do të qëndrojë fort në pozitat në të cilat ka vepruar haptazi që në vitet 90-të. Kjo do të thotë se nuk ka për ta pranuar shtetësinë dhe pavarësinë e Malit të Zi, konceptin e saj qytetar dhe rrugën euroatlantike në të cilën ajo ka lëvizuar që nga rinovimi i shtetësisë në vitin 2006, konstaton Prekiçi. Para Malit të Zi qëndron “rregjistrimi i të gjithë rregjistrimeve” dhe asnjëra palë nuk ka ndërmend të bëjë lëshime sepse e di mirë se nga ecuria e tij varet se çfarë do të ndodhë me ta. A mund të flitet pas rregjistrimit në Mal të Zi si për një komb dhe etnos të veçantë apo ai do të bëhet vetëm një emërtesë imagjinare në kujtimet e nostalgjikëve? Sido që të jetë, kjo ka për të patur jehonë të madhe dhe mund të ndryshojë pozitën politike dhe gjeostrategjike të rajonit. Vuçiçi ka hedhur shumë karta të forta në tryezë dhe rrezikon  shumë, por edhe rryma promalazeze është në udhëkryq ekzistencial. Kjo është koha (ose statistika) “të jesh ose të mos jesh” për Malin e  Zi, ekzistencën e tij, mbijetesën dhe begatinë, gjë e cila mund të bëhet reminishencë anësore historike, iluzion ose kujtim i turbullt për ditët e lavdishme të së kaluarës. Rregjistrimi “i zakonshëm” i popullsisë i cili mund të japë përgjigje për pyetjen nëse Mali i Zi është i aftë të jetë malazez apo vetëm Serbia në det.

Nga Vllado Vurushiç