Kriza ekonomike, Tsipras në Bruksel, por as sot nuk ka marrëveshje

421
Kryeministri grek Aleksis Tsipras, do të takohet sonte në mbrëmje me presidentin e Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, me të cilin sipas të gjitha gjasave do të ballafaqojë planin e reformave që ka propozuar një ditë më parë, me atë të përpiluar nga kreditorët ndërkombëtarë në bashkëpunim me Komisionin Europian.
Detajet mbeten ende të paqarta, por theksi do të vihet te ndryshimi i pensioneve, një reformë në kodin e punës, si dhe sufiçiti buxhetor, ose diferenca pozitive mes të ardhurave nga taksat dhe shpenzimeve publike.
Sipas vetë zëdhënësit të Junker, Margaritis Skinas, takimi që mendohet të zhvillohet rreth orës 20:30, nuk do të jetë i fundit mes palëve dhe nuk pritet të ketë një marrëveshje përfundimtare në mbarim të tij.
Para se të nisej për në Bruksel, Tsipras bëri edhe një lutje të fundit ndaj kreditorëve.
“Qeveria greke ka dorëzuar zyrtarisht një propozim ndaj institucioneve, për një kompromis të ndershëm dhe përfitues për të gjitha palët, që do t’i japë fund krizës në Europë dhe do të lejojë Greqinë që t’i shpëtojë asfiksimit ekonomik dhe do t’i japë fund skenareve të errëta për daljen e vendit nga eurozona”
Greqia duhet t’i paguajë të premten 300 milionë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar si pjesë e shlyerjes së detyrimeve ndaj kreditorëve, që vetëm për muajin qershor kapin shifrën e mbi 1 miliardë eurove.
Pasi ka ezauruar pothuajse plotësisht resurset e brendshme financiare, dhe e penguar të marrë kredi në tregun ndërkombëtar, qeveria helene rrezikon seriozisht daljen nga eurozona nëse nuk i përmbahet afateve për shlyerjen e detyrimeve. Prej katër muajsh tashmë, që prej marrjes së pushtetit nga Syriza, vendi është në ngërç me kreditorët, duke bërë që në Athinë, por edhe Bruksel, era të fryjë rrëmbyeshëm në drejtimin e gabuar.
Sigal