La Liberation: Edi Rama ka dështuar të rikthejë besimin e njerëzve tek institucionet

484
Sigal

Gazeta franceze La Liberation ka trajtuar ngjarjet e fundit politike në Shqipëri në një artikull të saj të enjten të titulluar Në Shqipëri: rruga kundër “korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Artikulli përshkruan protestën e 16 shkurtit të organizuar nga opozita, në të cilën, sipas korrespondetit francez, morën pjesë mbi 10 mijë qytetarë që akuzojnë kryeministrin shqiptar Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin.

Artikulli i bën jehonë gjendjes së vështirë ekonomike në vend, që, së bashku me skandalet e përditshme të korrupsionit, kanë çuar në rritjen e pakënaqësisë popullore kundër qeverisë.

Exit.al sjell më poshtë të përkthyer një pjesë nga artikulli i La Liberation.

***

I zgjedhur për herë të parë në vitin 2013 me një program për uljen e pabarazive dhe luftën kundër korrupsionit, socialisti Edi Rama ka dështuar të rikthejë besimin në institucionet e tij. Megjithëse është duke u zbatuar një reformë në drejtësi, Shqipëria është tani një nga nxënësit më të këqinj evropianë, sipas renditjes më të fundit të Transparency International.

Akoma më keq, partia e tij akuzohet rregullisht për lidhje me “krimin e organizuar”. Dyshimet janë rizgjuar kohët e fundit nga një përgjim i Zërit të Amerikës, publikuar në fund të janarit, mbi zgjedhjet e përgjithshme 2017, ku Partia Socialiste mori shumicën absolute. Dyshimet për blerjen e votave e shqetësojnë opozitën, ndërkohë zgjedhjet e rëndësishme lokale janë caktuar për në fund të qershorit.

“Opozita e ka të vështirë të fitojë zgjedhjet, në një kohë që blerja e votave, klientelizmi dhe apatia e popullsisë është e theksuar” thotë Ermal Hasimja. Duket sikur një pjesë e Partisë Demokratike (PD), forca kryesore e opozitës, kërkon të jetë më agresive kundër qeverisë. Ky presion mund të rritet në muajt që vijnë.

Vetëm në dhjetor, dhe përgjatë disa javëve, vendi përjetoi protestat më të mëdha të studentëve në historinë e tij. Një mobilizim kundër shtrenjtimit të studimeve dhe një sistemi universitar që konsiderohet i pabarabartë nga studentët, që e bëri Rama të ndërronte gjysmën e qeverisë së tij.

Dhuna e së shtunës u dënua nga ambasadat e BE dhe SHBA në Tiranë. Nga ana e opozitës, një gjë e tillë e refuzua duke hedhur përgjegjësinë mbi Ramën për “provokim për nxitje dhune”. Në një fjalim të dielën në TV, lideri i PD sërish kërkoi një “qeveri tranzitore” dhe i bëri thirrje përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës për të “djegur mandatet e tyre parlamentare”.

Ironik, Rama, ndërkohë, ka reaguar në Twitter:

“Çfarë trishtimi pasqyra e shëmtisë së djeshme nëpër mediat e dynjasë! Politika qorre e një opozite pa vizion, pa program, pa lidership, nuk i bëri asgjë dot qeverisë po goditi Shqipërinë në sytë e botës dhe u dha material të tërë atyre që duan sebepe kundër negociatave me BE “

Zyrtarisht kandidat për në BE që nga 2014, Shqipëria mund të hapë negociatat e anëtarësimit në qershor, në varësi të përparimit të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.