Kritikoi Putinin, prokurorët rusë kërkojnë 20 vjet burg për Alexei Navalny

41
Sigal

Prokurorët publikë rusë kërkuan sot që politikani i opozitës ruse, Alexei Navalny, të dënohet me 20 vjet burg, me akuza për aktivitet ekstremist, tha gjykata që dëgjoi rastin e tij, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Agjencia TASS, duke cituar avokatin e Navalny, raportoi se vendimi do të shpallet më 4 gusht.

Gjyqi i Navalny filloi muajin e kaluar me dyer të mbyllura në koloninë penale IK-6 në Melekhovo, rreth 235 kilometra në lindje të Moskës, ku ai tashmë po vuan dënime prej 11-1/2 vjet për mashtrim dhe akuza të tjera që ai thotë se ishin sajuar për t’i mbyllur gojën.

Siç sqaron faqja e Mediazona, në total, pa përfshirë takimin e sotëm, janë zhvilluar 16 takime. Që nga fillimi i gjyqit, gazetarëve iu ndalua hyrja në sallën e gjyqit, ndërsa hyrja e publikut në gjyq u ndalua më pas.

Navalny akuzohet sipas gjashtë neneve të Kodit Penal të Rusisë: për thirrje për ekstremizëm, për krijimin e një OJQ që shkel të drejtat e qytetarëve, për financimin e veprimtarisë ekstremiste, për krijimin e një organizate ekstremiste, për tërheqjen e të miturve me qëllim të kryerjes së akteve të rrezikshme dhe për rivendosjen e nazizmit. Në bazë të këtyre neneve, ekziston mundësia që ai të dënohet me 30 vite burg.

Së bashku me Navalnin në të njëjtin rast, është në gjyq edhe ish-drejtori teknik i kanalit Navalnii LIVE në YouTube, Daniel Halodnyi, i cili tashmë është në paraburgim prej më shumë se një viti.