Gjykatat të mbuluara me dosje, 8 vite për 1 vendim Apeli, 15 vite për 1 padi civile

78
Sigal

Situata në sistemin e drejtësisë vijon të jetë e rëndë, ku mbi 110 mijë dosje gjyqësore presin në radhë. Nëse një qytetar do të ngrejë një padi civile në gjykatë sot, do t’i duhet të presë mesatarisht 14-15 vjet për të marrë një vendim në të 3 shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Por që sipas KLGJ, kjo periudhë kohore mund të shkojë edhe më gjatë”. Flasin Bledi Dervishaj dhe Gerti Shella. Kreu i ILD-së Artur Metani: Sistemi i drejtësisë ka nevojë për inkurajim

 Situata në sistemin e drejtësisë vijon të jetë e rëndë 110 mijë dosje gjyqësore të mbartura, flasin juristi, Bledi Dervishaj dhe aktivisti, Gerti Shella

NOA

“Prej përkeqësimit të parametrave të efiçencës dhe uljen e rendimentit të punës së gjyqtarëve, kemi rritje të stokut të dosjeve me 8 përqind”.

“Koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve, sipas llogarive të KLGJ-së, është 2790 ditë, ose afërsisht 8 vjet”.

BOX: “Nëse një qytetar do të ngrejë një padi civile në gjykatë sot, do t’i duhet të presë mesatarisht 14-15 vjet për të marrë një vendim në të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri. Kjo, më së paku referuar shifrave optimiste të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pasi në raste të ndryshme, kjo periudhë kohore mund të shkojë edhe më gjatë”

 Gjykatat të “mbuluara me dosje”, 8 vite për një vendim në Apel

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreson se Harta e Re Gjyqësore të zbusë kolapsin në sistemin e drejtësi, shifrat e raportuara nga ky institucion për vitin 2023 tregojnë se “back-logu” i dosjeve të mbartura në të tria shkallët po i merr frymën gjykatave dhe po vonon ndjeshëm dhënien e vendimeve për qytetarët. Shifrat e raportuara nga KLGJ në Parlament për vitin e kaluar tregojnë se ka një ulje minimale të ngarkesës së dosjeve në Gjykatën e Lartë, por ndërkohë është rritur ndjeshëm volumi i çështjeve të pashqyrtuara në nivel Apeli. Nga ana tjetër, vijon të mbetet shumë e gjatë koha e dhënies së vendimeve për qytetarët, madje edhe për ato çështje të thjeshta civile. Situata në sistemin e drejtësisë vijon të jetë e rëndë, sidomos pas nisjes së zbatimit të Vetingut, një proces i shoqëruar me dyshime për paaftësi të trupave rivlerësuese, ndikime të rëndësishme politike dhe standarde të shumëfishta. Këshilli i Lartë Gjyqësor numëron se, nga nisja e procesit të rivlerësimit kalimtar e deri në fund të vitit 2023, janë larguar nga sistemi i drejtësisë 137 gjyqtarë me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga të cilët 89 me vendim të formës së prerë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Këto mungesa të shumta kanë ndikuar në uljen e efiçensës gjyqësore në nivele minimale, të panjohura më parë, shkruan BoldNeës. Në Korrik të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për “riorganizimin e rretheve gjyqësore”, i njohur edhe si Harta e Re Gjyqësore. Ky zhvillim u konsiderua si “çelësi” për çlirimin e gjykatave nga mali i dosjeve. Në bazë të këtij vendimi, u reduktua numri i gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm nga 22 në 13 të tilla, të cilat nisën punë në 1 maj 2023. Po ashtu, nga 6 gjykata apeli të juridiksionit të përgjithshëm, u reduktuan në një të vetme, në Tiranë. Ulje pësuan edhe gjykata administrative, të cilat nga 6 që ishin para hartës së re gjyqësore, u mblodhën në 2. Qeveria dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, të cilët bashkëpunuan për këtë hartë, nuk e pranuan asnjëherë publikisht se ky vendim ishte i nxitur nga ulja e ndjeshme e numrit të gjyqtarëve në të gjithë nivelet, si pasojë e Vetingut. Pas miratimit të Hartës, u premtua publikisht se do të ulej numri i stokut të dosjeve dhe do të përshpejtohej procesi i dhënies së drejtësisë. Por, të paktën deri më tani, efektet e kësaj Harte janë të padukshme ose, më së paku, të papërfillshme. Në fillim të vitit 2023, stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë ka qenë 31.827 dosje gjyqësore të mbartura nga vitet e kaluara. Ndërkohë, sipas shifrave të raportuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, deri në fund të vitit të kaluar, stoku është ulur me 4.239 dosje gjyqësore. Por, duke mbajtur në konsideratë se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 2145 dosje të reja, ulja e ngarkesës së gjyqtarëve të lartë është fare minimale.

Raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor për stokun në Gjykatën e Lartë për vitin 2023

Aktualisht, Gjykata e Lartë po shqyrton rekurset për çështje civile të dorëzuara në vitet 2015-2016 dhe ato penale, të dorëzuara në 2019-2020. Gjë që do të thotë se rekurset e reja do të duan të paktën 5 vjet që të merren në shqyrtim. Harta e re gjyqësore u nxit nga ulja me shpejtësi e numrit të gjyqtarëve në nivel Apeli. Pika kulminante arriti kur gjykata Apeli, si ajo e Korçës, e Gjirokastrës dhe e Vlorës, nuk mund të krijonin trupat gjykuese. Për këtë arsye, gjyqtarët e mbetur u mblodhën të gjithë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, me shpresën se do të krijoheshin premisat për dhënien e drejtësisë në një kohë sa më të arsyeshme. Qëllimi i shprehur është shumë larg realizimit, të paktën deri më tani. Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm e ka nisur vitin 2023 me një stok prej 31.700 dosjesh. Ndërkohë që në fund të vitit 2023 ishin 37,662 çështje që presin të shqyrtohen, duke shënuar një rritje prej gati 6 mijë dosjesh të reja. “Vërehet se, në krahasim me vitin e mëparshëm, ka ulje të vlerës së Normës së Zgjidhjes së Çështjeve (Treguesi CR). Norma e likuidimit të çështjeve civile nga viti 2022 në vitin 2023 është ulur me 38 %, si dhe penale nga viti 2022 në vitin 2023 është ulur me 12.1%”, thuhet në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLGJ raporton se Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm thelloi stokun e dosjeve. Në analizë të këtyre të dhënave, KLGJ konstaton se “Gjykata e Apelit nuk ka arritur të përballojnë fluksin e çështjeve të reja të regjistruara, duke thelluar gjendjen e stokut të trashëguar”. Ndërkohë, kjo situatë stoku ka ndikuar drejtpërdrejtë në kohë-zgjatjen e dhënies së drejtësisë. “Koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve, sipas llogarive të KLGJ-së, është 2790 ditë”, ose afërsisht 8 vjet. Referuar përllogaritjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, një çështje civile në gjykatat e shkallës së parë shqyrtohet mesatarisht për 272 ditë, ndërsa një çështje penale për 141 ditë. Këto shifra, megjithëse duken shumë optimiste krahasuar me realitetin, sërish shënojnë zgjatje të kohës për vendimmarrje, krahasuar më së paku me një vit më parë. “Prej përkeqësimit të parametrave të efiçencës dhe uljen e rendimentit të punës së gjyqtarëve, kemi rritje të stokut të dosjeve me 8 përqind, krahasuar me vitin 2022. Kjo rritje do të ndikojë negativisht edhe në statistikat për vitin 2024…”, thuhet ndër të tjera në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLGJ konstaton përkeqësim të gjendjes së stokut të dosjeve në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm. Statistikat tregojnë se, “në 31 dhjetor 2023 mbeten në pritje të gjykimit 44,181 çështje, në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm”. Përsa i përket ngarkesës në punë, mesatarja është është 547 dosje për gjyqtar. Por, ky tregues ndryshon nga gjykata në gjykatë. Përshembull, në Gjykatën e Elbasanit, një gjyqtar ka në shqyrtim mesatarisht 1349 çështje, ndërsa në Tiranë mesatarisht 1176 çështje dhe Durrës 1011 dosje. Megjithëse raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor përshkohet nga nota optimiste, sërish situata në sistemin e drejtësisë vijon të jetë shumë e vështirë. KLGJ pranon se trupa gjyqësore në detyrë është afërsisht 60 përqind e asaj që duhet të ishte normalisht, për shkak të procesit të rivlerësimit. Stafet e këshilltarëve ligjorë dhe ata administrativ janë gjithashtu të reduktuara, gjë që ndikojnë në një performancë të dobët të sistemit gjyqësor. Sipas Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjykata e Apelit të Përgjithshëm, “nuk ka arritur të përballojnë fluksin e çështjeve të reja të regjistruara, duke thelluar gjendjen e stokut të trashëguar”. Aktualisht, në Gjykatën e Apelit është një stok prej 31.700 dosjesh që presin shqyrtimin. Ndërkohë, stoku në Gjykatën e Lartë është 26.058 çështje. Referuar shifrave të publikuara nga KLGJ, prej fillimit të procesit të vetingut, janë shkarkuar 89 gjyqtarë me vendim përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe 73 të tjerë janë pezulluar, pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kaosi me dosjet e ngelura stok në KLGJ, flasin juristi Bledi Dervishaj dhe aktivisti, Gerti Shella

Aktivisti Gerti Shella, drejtuesi i INFOCIP, ka folur për sistemin e drejtësisë në vend, Shella tha se është cinike t’i kërkonte qytetarëve shqiptarë që të kenë besim tek drejtësia, kur gjyqet vonojnë me vite të tëra. Shella shprehet se:- Unë po bëj një pyetje atyre që lexuan ato fjalime të bërë nga stafe të pastërvitura; si mund t’i kërkohet besim dikujt që prej 2 vite në shkallë të parë, 7 vite të tjera në shkallën e dytë, dhe nja 8 vite në shkallën e tretë nëse do të duhet ankimuar nga ndonjë institucion që nuk i pëlqen vendimi. Ndërkohë juristi, Bledi Dervishaj është shprehur se: Në ditën e drejtësisë u mblodhën bashkë diplomatë – drejtues – magjistratë. Për mua harxhojnë lekë dhe kohë krejt kot për këto lloj tryezash. Unë nuk arrij të kuptoj se si mumd ta tejkalosh, si pa u vënë re, apo me ndonjë pasazh të mjegullt 95% të situatës dramatike në sistemin gjyqësor dhe të flasësh për “sukses” të reformës në emër dhe vetëm për SPAK. Një pyetje sidomos për stafet e ekspertizës më të lartë, ata high fare-fare. Nëse një politikan i lartë i pandëshkuar deri më sot, shkon në SPAK, merret në pyetje, ja dhe po e zëmë që u dënua, çfarë ndodh me 110 000 dosje të prapambetura, si shqyrtohen ato, si bëhet stoku i dosjeve të mbartura 0, ???  Kush nga diplomatët dhe stafi i tyre teknik mund të m’i njehsojë apo të m’i lidhë këto modele “suksesi”.  Nëse kemi rrëzuar miti  e pandëshkueshmërisë, mos kemi harruar dhe na është krijuar mali i pashqyrtueshmërisë?  (110 000 dosje gjyqësore të mbartura? Shumë prej atyre që ulen në këto tryeza i kënaqen rrogës, rehatisë, të shtunë e të dielës shqiptare që diell i ka dhënë zoti me pashë, me plazhe, sofra, sunduk dhe jahte sa të duash. Ndërsa mijëra familjeve dhe qindra mijërave shqiptarëve u bëhet thirrje të kenë besim tek drejësia. Tek cila drejtësi? Tek ajo që kanë 8 vite që e presin dhe kur e marrin i sëmurë më keq. Pyesni gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Apelit, të Shkallave të Para, se në çfarë ngarkese punojnë. Ata shyqyr kanë filluar të flasin. Model Hipokrizie që ka 7 vite që përsëritet dhe që nuk ka më asnjë shije. Më thonë, ose më saktë më “këshillojnë” shumë syresh, po ç’ke o Bled, pse flet, ti je edhe kandidat për Avokat i Popullit, apo do që të mos të të votojnë?  Këtyre u them, unë nuk kandidoj për Avokat i Shtetit lumadh, por për Av. i Popullit. Nëse atë detyrë çuditërisht do ta merrja nuk do të kalonte javë e muaj, pa u marrë me këtë shkelje masive, sistemike dhe shumë të rëndë të të drejtave të njeriut. Nuk kanë faj 110 000 familje shqiptare, biznesi, se sistemi i drejtësisë ka kolapsuar. I takon shtetit Shqiptar të ulet, të diskutojë dhe të gjejë zgjidhje. Shqipëria është Republikë Parlamentare, ndaj atij që unë e quaj shtet dhe që duhet ta zgjidhë është vetëm Kuvendi i Shqipërisë dhe askush tjetër. Të gjitha tentativat me harta gjyqësore, me përcaktim apo rritje norme për çdo gjyqtar, etj, etj, kanë dështuar dhe nuk mjaftojnë. Këto tryezat si ditën e djeshme, vitrina plot dhe magazina bosh, janë krejt pa vlerë dhe nuk pinë më ujë. Janë veç me dal në televizor dhe të raportohet puna boshe në foto bashkëlidhur. Edhe këto vizitat e magjistratëve për shkëmbim eksperiencash andej këndej, vendeve të BE dhe Amerikë nuk i vlejnë realitetit tonë. Sa harxhojnë burime dhe kohë kot. Nuk ka model perëndimor që mund të eksperimentojmë sërish. Jemi unik nuk ngjasojmë me askënd. Sado diplomat a delikat të jesh, në thëniet publike se fshehim dot situatën, e vërteta jonë të nxjerr sytë.

Metani: Sistemi i drejtësisë ka nevojë për inkurajim e mbështetje

Në vijim të vizitës së punës në SHBA dhe në kuadër të Ditës kombëtare të Drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një bashkëbisedim me juristë dhe profesionistë shqiptarë në Nju Jork. Metani u ndal tek ndryshimet e realizuara në Shqipëri në kuadër të Reformës në Drejtësi me institucione të reja, një prej të cilave është edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Metani solli në vëmendje rolin e institucioneve, por edhe të shoqërisë, në raport me drejtësinë e shtetin e së drejtës, ndërsa deklaroi se sistemi i drejtësisë ka nevojë për inkurajim dhe mbështetje. Metani: Ne kemi nevojë për një shoqëri që zhvillohet dhe përparon bazuar në koncepte të demokracisë dhe të shtetit ligjor, sepse drejtësia nuk mund të administrohet vetëm nga institucionet e saj, por edhe nga gjithë shoqëria, përmes informimit, sjelljes etike dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Sot, sistemi i drejtësisë ka qenë dhe mbetet një nga temat më të nxehta të debatit publik në Shqipëri. Drejtësia është një temë që ngjall interes publik. Sot duhet të shtojmë përpjekjet për rritjen e nivelit të kulturës juridike të shoqërisë sonë. Aksesi i shtetasve shqiptarë mbi njohuritë mbi ligjin është themelor për garantimin e një sistemi drejtësie efektiv. Kështu, informimi dhe dhënia e njohurive për ligjin, mbi të drejtat, institucionet ligjzbatuese, përgjegjësitë apo tjetër, nuk janë të lidhura vetëm me arsimimin juridik, por janë përbërësit e kulturës dhe nevojës qytetare për qasjen ndaj shtetit të së drejtës.