Kabranov denoncon kërcënimet e Mijallkovit

459
Ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov përmes avokatit të tij, Antonio Apostollski, kërkon nga kryeredaktori i “Libertas”, Aco Kabranov, që t’i kërkojë ndjesë për artikujt prej para 10 dhe 8 ditëve në të cilët qëndronte se ish-kreu i DSK-së derisa zgjasin negociatat në Përzhino pushon në Santorini, Greqi. Kabranovi thotë se ka konsideruar se është e rëndësishme që qytetarët të dinë se zyrtari i lartë partiak i VMRO-DPMNE-së, në kohën kur zgjidhen çështje të rëndësishme për ardhmërinë e vendit, ka pushuar në fqinjësi.
Kabranovi konfirmoi se fotografinë që e ka publikuar e ka marrë nga një qytetar i cili në të njëjtën kohë ka qenë në aeroportin e Santorinit ku edhe e ka fotografuar Mijallkovin, përderisa ky po priste që të regjistrohet për fluturimit drejt Selanikut. Kabranovi shprehet se nuk e ka të qartë se pse, gjegjësisht për cilën pjesë të artikullit të publikuar kërkohet nga ai që të kërkojë falje.
“Nuk kam ndërmend të kërkoj ndjesë. Së pari, duhet të na sqarojnë se çfarë ndjese kërkojnë, të dëshmojnë se nuk ka qenë në Santorini, se ai që na e dërgoi fotografinë gënjen. Prej atëherë kur e publikuam fotografinë, kaluan 10 ditë, nuk reaguan dhe tani së pari, ata duhet të na sqarojnë se çfarë kërkojnë. Ndryshe, personalisht nuk kam se për çfarë të frikësohem fare, e as që ndonjëherë jam frikësuar nga Mijallkovi e as nga ndonjë njeri tjetër i tillë i fuqishëm. Unë edhe në kohën kur ishte e tmerrshme që t’i përmendet emri, shkruaja për të atë që unë e konsideroja që duhet të shkruhet në artikujt e mi, duke mos e keqpërdorur asnjëherë profesionin. Tani është më lehtë dhe shumëkush shkruan për të dhe që tani do të shkruajnë dhe ai do të duhet doemos të përballet me këtë”, tha Aco Kabranov, pronar i “Libertas”.
Ditët e fundit kishte disa sulme ndaj gazetarëve nga ana e zyrtarëve të lartë. Të tmerruar nga zhvillimet e fundit, nga Shoqata e gazetarëve sot kërkuan që Presidenti Gjorge Ivanov, kryeparlamentari Trajko Veljanoski, kryeministri Nikolla Gruevski, menjëherë të kërkojnë nga Institucionet ta parandalojnë dhunën ndaj gazetarëve dhe sulmuesit t’i nxjerrin para drejtësisë. Nga SHGM-ja do të dërgojnë edhe letra urgjente në Kombet e Bashkuara, KE, BE dhe Qeverinë Amerikane në të cilat do t’i informojnë se në Maqedoni nuk ndëshkohet dhuna ndaj gazetarëve.
Brenda katër viteve SHGM-ja ka regjistruar mbi 20 kërcënime dhe sulme fizike ndaj gazetarëve, prej të cilave thuajse gjysma e a tyre kanë ndodhur në 6 muajt e parë të këtij viti. Deri tani autorët nuk janë ndëshkuar.
Sigal