Itali, Putin në Milan Expo: S’ka zgjidhje tjetër veç paqes

470
Presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi të mërkurën Milan Expo 2015, por edhe pse u prit me nderime nga kryeministri italian, Mateo Renci, nuk mori asnjë garanci për lehtësira në sanksionet që Perëndimi i ka vënë vendit të tij për shkak të krizës në Ukrainë.
Putin theksoi gjatë fjalimit që mbajti në panairin botëror se Rusia dhe Italia ndajnë një histori të vjetër dhe të suksesshme marrëdhëniesh, ndërsa vlerësoi rolin e investitorëve italianë në vendin e tij.
Megjithatë, takimi i ngrohtë i dy krerëve të shtetëve në ambjentet e Milan Expo, nuk u mirëprit nga të pranishmit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, mbajtur pas takimit dypalësh, palët pranuan diferencat në lidhje me Ukrainën, por theksuan se Bashkimi Europian dhe Rusia duhet të mbajnë të njejtin qendrim për sa i përket rreziqeve të përbashkëta, si terrorizmi ndërkombëtar.
Renci: “Mund t’ju them se ramë dakord në parimin bazë, që sanksionon marrëveshjen e dytë të Minskut si yllin drejtues, busullën dhe pikën e referencës së përpjekjeve tona. Besoj se të gjithë po përpiqen që të ruajnë zbatimin e tij”
Putin: “Të gjithë e dimë që nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm paqja është e pranueshme, dhe Italia e mbështet këtë mendim”
Që prej aneksimit të Krimesë marsin e vitit 2014 nga Rusia, kjo vizitë është një ndër të paktat që Putin ka kryer në shtetet e Bashkimit Europian. Luftimet e fundit në Ukrainë vetëm sa kanë rikthyer tensionet, ndërsa pas samitit të G7-ës, liderët perëndimorë kërcënuan presidentin rus se sanksionet ndaj vendit të tij nuk do të zbuten, madje mund edhe të rëndohen.
Sigal