Dhunimi i materialeve të fushatës, akt dëshpërimi që nuk ka asgjë të përbashkët me Qytetarinë Durrsake

449
Sigal
Me keqardhje dëshirojmë të bëjmë me dije për opinionin publik dhe bashkëqytetarët e Durrësit denoncimin që shtabi i fushatës zgjedhore të kandidatit për bashkinë e Durrësit, z. Vangjush Dako, do të depozitojë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, lidhur me aktin e shëmtuar të dhunimit dhe dëmtimit të materialeve zgjedhore që ka ndodhur rreth orëve të vona të natës së djeshme, duke u gdhirë dt. 10/06/2015, dhe përkatësisht, citylight-in përballë Stacionit të Autobuzit të plazhit në Lagjen nr. 5, i cili është goditur dhe dëmtuar xhami mbrojtës, si dhe citylight-in tek Lagja nr. 1, pranë Shëtitores ‘Taulantia’, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj këtyre akteve të shëmtuara që nuk kanë asgjë të përbashkët me traditën e mirënjohur të qytetarisë durrsake dhe i bëjmë thirrje militantëve politikë që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e dëshpërimit për mbështetjen e fuqishme që bashkëqytetarët po i japin përditë e më tepër koalicionit fitues të ASHE. 
Ne besojmë se politika duhet t’i bashkojë dhe jo t’i ndajë qytetarët. Ne besojmë tek qytetaria dhe sjellje në shërbim të qytetarëve. 
Fushata zgjedhore për kryetarin e Bashkisë së Durrësit është dhe duhet të mbetet një garë ku të mbizotërojë forca e ideve, jo ideja e forcës.
Aleanca e Shqipërisë Europiane është e vendosur të bëjë një fushatë qytetare për qytetarët që nga fillimi i fushatës dhe deri në shpalljen e rezultatit, prandaj presim edhe nga të gjithë palët politike të kontribuojnë njësoj si ne, me qëllim që të vendosim një standard qytetarie, ashtu siç e meritojnë qytetarët durrsakë.