Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin: Akuza të pabaza”

620
Në kulmin e akuzave mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri për çështjen e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike, Ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin i ka hedhur poshtë akuzat e financimit rus. Ambasadori Karpushin e ka cilësuar një beteje te brendshme politike midis partisë socialiste dhe partisë demokratike. “Të gjitha akuzat janë të pabaza edhe për sa i përket situatës në Shtetet e Bashkuara, gjithashtu edhe Shqipërisë. Së fundmi, një akuzë e shpikur është përdorur në kontekst të betejës së brendshme politike midis PS dhe PD. Ditët e fundit ka mbaruar punën e tij komisioni hetimor në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan dhe ky komision i posaçëm, i cili ka hetuar ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane nuk ka gjetur asnjë provë të një ndërhyrjeje të tillë,” tha ai. Referuar akuzave ndaj Rusisë edhe nga Britania e Madhe, Ambasadori Karpushin shprehet se të tilla akuza kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin e Rusisë. “Nuk e di saktësisht cila është arsyeja e kësaj vale të re kundër Rusisë në kohët e fundit, ndoshta për të përkeqësuar pak situatën në zgjedhjet presidenciale ose për të dëmtuar imazhin e Rusisë, e cila do të mirëpresë këtë qershor edhe kampionatin botëror të futbollit,” u shpreh Karpushin.
Sigal