Incident në Tiranë! Serbia përjashton ministrin e Kosovës nga Konferenca

560
Sigal

Qeveria serbe ka shkaktuar një përplasje të rëndë diplomatike në Tiranë, duke kërkuar përjashtimin e Kosovës nga një Konferencë mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor e nivelit të lartë rajonal. Nën organizimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipëria mikpriti këtë të premte, Konferencën mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht si pjesë e Ballkanit Perëndimor, ishte e ftuar edhe Kosova. Megjithatë, që në nisje të saj, Delegacioni i Serbisë, i kryesuar nga ministri serb i Mjedisit, nuk ka pranuar që Kosova të jetë në këtë tryeze, e cila përfaqësohej nga vetë ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, i cili u la jashtë konferencës. Pas një sërë debatesh, është vendosur që Kosova të prezantohet nën siglën e UMNIK-ut, ndërkohë që ministri i saj është lënë jashtë salle. Vetë zoti Matoshi deklaroi se ftesa për të marrë pjesë në konferencë i është bërë nga homologu shqiptar, ministri Blendi Klosi. Matoshi ka mbërritur prej ditësh së djeshme në Tiranë, dhe siç tregoi ai, një natë më parë kishin pasur takim edhe me ministrin serb të Mjedisit dhe se gjatë një darke me ministrat edhe të Malit të ZI, Maqedonisë dhe Çekisë, ishte rënë dakord për prezencën e ministrit të Kosovës në Konferencën për Klimën. “Ne kemi ardhur dje jemi pritur shumë mirë. Darka e mbrëmshme ka qenë e përbashkët, takim ministrash. Kemi diskutuar që problemet duhet ti zgjidhim së bashku, të mendojmë përtej zhvillimeve të politikë ditore. Jua thashë edhe mbrëmë edhe sot, që, nëse dëshirojnë të flasim për Ballkanin Perëndimor duhet të bashkohen ë gjithë, duhet të jetë edhe Kosova. Nuk ka askënd tjetër që mund të vendosë për vendin tonë” tha ministri Matoshi jashtë sallës ku nisi të zhvillohej Konferenca. Kosova nuk është pranuar ende me të drejta të plota në OKB dhe mund të marrë pjesë në tryeza të saj vetëm me përfaqësues nën siglën e UNMIK-ut, misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ministri i Kosovës pohoi se në rast se flitet për samit klime në Ballkanin Perëndimor, nuk ka asnjë kuptim që shteti i Kosovës të jetë i përjashtuar nga ky event. Nga ana tjetër, ministri i Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi tha, se e gjitha ajo që ndodhi në Samit, kishte të bënte me protokollin që ka caktuar Organizata e Kombeve të Bashkuara.“Ajo që ka ndodhur ka të bëjë me rregulla strikte të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara, që Kosova të jetë e përfaqësuar nga sigla e UNMIK-ut, gjë e cila për Kosovën është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë më. Ne e kemi shfrytëzuar këtë takim që të kërkojmë mbështetje nga donatorët e fuqishëm. Ne do të vijojmë që në mënyrë bilaterale me donatorët të bisedojmë dhe të paraqesim projekte konkrete për mjedisin”, tha Matoshi. Nga ana tjetër, ministri Klosi konfirmoi se pas një sërë përplasjesh, Matoshi është lënë jashtë sallës. “Kanë qenë rreth dy orë debate”, tregoi Klosi. “Për faktin nëse duhej apo jo prezenca e ministrit të Kosovës në Konferencë. Por përfundimi ishte që në sallë, u pranua vetëm delegacioni i Kosovës, pa praninë e ministrit, ashtu siç ka përcaktuar OKB-ja. “Aktiviteti është i organizuar nga OKB. Shqipëria është vend mikpritës. Unë ftova ministrin Matoshi. Ne do të vazhdojmë bisedimet bilaterale me donatorët. OKB dhe donatorët e pranuan Kosovën si pjesë e këtij diskutimi. Ne bëmë ftesën si ministri shqiptare, se është e palogjikshme që në një aktivitet për Rajonin, Kosova mos të jetë pjesë e diskutimeve. Kishim dakordësi me OKB dhe me Serbinë sa i përket zhvillimit të aktivitet, prezencës së Kosovës si i ftuar special”, tha Klosi. “Sa i takon aktiviteti është takim i organizuar nga OKB. Ne do të vijojmë diskutimet biletarelae me ministrat e tjerë të rajonit. Konferenca do të diskutojë për problematika që kanë të bëjnë me vendet e rajonit. Grupet tona po vijojnë diskutimin. Kosova e ka grupin dhe përfaqësuesit e saj. Mendoj se për post debatit, që ju keni qejf gjithmonë të ndiqni. Kishim një dakordësi edhe me OKB dhe Serbinë, ajo që nuk u pranua ishte prezenca e Kosovës me të drejta të plota si folës”, tha ai.