Ilir Meta në Kuvajt: Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe njohjen e Kosovës

435
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit dje në Kuvajt nga Madhëria e Tij, Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, i cili shoqërohej nga Madhëria e Tij, Princi i Kurorës, Sheikh Nawaf Al Ahmad Al Jaber Al Sabah. Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah i uroi Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta mirëseardhjen në Shtetin e Kuvajtit dhe shprehu ndjenjat më të ngrohta vëllazërore për popullin shqiptar, duke theksuar njëkohësisht mirënjohjen e thellë të popullit kuvajtian për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë gjatë ditëve të vështira të luftës së Kuvajtit. Z. Meta shprehu kënaqësinë e veçantë për vizitën dhe pritjen e ngrohtë në Kuvajt dhe theksoi se, Shqipëria dhe shqiptarët janë mirënjohës ndaj Kuvajtit për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat, veçanërisht në drejtim të njohjes së Kosovës. Kryetari i Kuvendit i ripërsëriti Emirit të Shtetit të Kuvajtit ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme, ftesë e cila u prit me kënaqësi. Në këtë kuadër Emiri i Kuvajtit e siguroi Kryetarin e Kuvendit se, do të vizitojë Shqipërinë në një kohë të përshtatshme dhe përcolli përshëndetjet më të ngrohta për Presidentin e Republikës dhe popullin shqiptar. Madhëria e Tij Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al Ahmad Al Jaber Al Sabah dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht përmes projekteve të Fondit Kuvajtian për Zhvillim, duke vlerësuar në përfundim edhe punën e Ambasadave dhe të Ambasadorëve në të dy vendet.