Haradinaj i përgjigjet ashpër Vuçiçit: Bën deklarata luftënxitëse, zotohem se…

462
Sigal

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar ashpër në drejtim të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke thënë se ai kërkon që të nxisë luftë përmes deklaratave të tij.

Sipas Haradinajt Vuçiç provokon duke thënë se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, dhe këto deklarata janë një atakim i drejtpërdrejtë i sigurisë territoriale.

Reagimi i Haradinajt:

Deklaratat e fundit kërcenuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të dhëna dje me datë 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.