Greqia miraton marrëveshjen historike të emrit të Maqedonisë

642
Sigal

Parlamentarët grekë të premten mbështetën ratifikimin e marrëveshjes shumë të diskutueshme që është projektuar t’i japë fund mosmarrëveshjes së gjatë mbi emrin e Maqedonisë.

Në votimin që përfundoi në orën 14:30 më orën lokale, 153 deputetë nga partitë në pushtet dhe nga disa parti të opozitës në parlamentin me 300 vende miratuan marrëveshjen, të cilën Maqedonia tashmë e ka miratuar.

146 deputetë votuan kundër marrëveshjes.

Ratifikimi nga ana e Greqisë shënon aktin përfundimtar të zbatimit të marrëveshjes së “Prespës”, pasi Maqedonia më 11 janar ndryshoi kushtetutën e saj, duke lejuar ndryshimin e emrit të vendit nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në këmbim të ndryshimit të emrit të saj, të cilin Greqia e kundërshtonte, Greqia ra dakord të heqë bllokadën e saj mbi ofertat e pranimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE.

Ratifikimi i marrëveshjes në Athinë është një fitore e rëndësishme për kryeministrin e majtë grek Alexis Tsipras.

“Ne jemi një hap përpara një ngjarjeje historike,” tha kryeministri Alexis Tsipras të enjten një ditë para votimit.

Ai tha se dështimet e mëparshme për të zgjidhur mosmarrëveshjen e gjatë e kishin privuar Greqinë nga kapitali i çmuar diplomatik dhe akuzoi partinë konservatore të opozitës Demokracia e Re, e cila kundërshton marrëveshjen, se po tregohej hipokrite.

Kreu i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, tha në fjalimin e tij në parlament para votimit të enjten se marrëveshja ishte një “mposhtje kombëtare” dhe një “fushë e minuar” që pasi të ratifikohej, do të ishte e pamundur të hiqej dhe e vështirë të ndryshohej.

Ai shtoi se nëse zgjidhet kryeministër, ai do të mbajë të drejtën për të bllokuar pranimin e Maqedonisë në BE në çdo kohë.

Para votimit, kreu i Grekëve të Pavarur Panos Kammenos, i cili e la koalicionin qeverisës më herët këtë muaj për mospajtimin e tij me marrëveshjen e emrit, e akuzoi Tsiprasin se po përpiqej të shpërbënte partinë e tij. Një grusht ish-anëtarësh të partisë së Kammenos, siç pritej, siguruan mbështetjen kryesore për miratimin e marrëveshjes.

Gjatë debatit parlamentar tre ditor para votimit, edhe në rrugë pati një atmosferë të tensionuar.

Të enjten në mbrëmje, mijëra kundërshtarë të marrëveshjes së emrit u mblodhën në Athinë për të protestuar dhe përleshje të vogla me policinë u raportuan përpara parlamentit.

Në një incident, një grup protestuesish shkruan “Maqedonia është një tokë greke” jashtë shtëpisë së ambasadorit të SHBA-së Geoffrey Pyatt në Athinë, tha policia.

Në një incident tjetër në Katerini në Greqinë Veriore, gjithashtu të enjten në mbrëmje, tre policë u plagosën dhe 11 protestues u arrestuan në një përleshje në një kordon policor që nuk po lejonte një turmë njerëzish që të mbërrinin në shtëpinë e deputetes së aleancës qeverisëse Elisavet Skoufa.

Pas ratifikimit të marrëveshjes, parlamenti në Athinë pritet së shpejti të miratojë ofertën e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO nën emrin e ri.

Nëse kjo ndodh, Greqia do të jetë anëtarja e parë e NATO-s që bën një lëvizje të tillë, në një proces që pritet të përfundojë me Maqedoninë që bëhet një shtet anëtar i ri i NATO-s.