Gjermania teston sirenat për herë të parë pas luftës së ftohtë

297
Sigal

Dhjetëra mijëra sirena kanë kumbuar sot në gjithë Gjermaninë për herë të parë që nga përfundimi i luftës së ftohtë. Alarmet kanë nisur në orën 11 të mëngjesit dhe jehona e tyre është dëgjuar qartë deri në 20 minuta më vonë. E quajtur ndryshe Dita e Paralajmërimit, do të mbahet në çdo 10 shtator.

Kjo provë mbarëkombëtare u krijua për të informuar njerëzit se çfarë duhet të bëjnë në një situatë emergjente dhe për të testuar gatishmërinë e shërbimeve të urgjencës.

Paraprakisht, u informuan shkollat, qendrat e kujdesit dhe vendstrehimet e azilantëve, për të shmangur shqetësime apo gjendje paniku. Kjo pasi këto alarme mund të traumatizojnë njerëz, kryesisht të moshuar që i lidhin sirenat me luftën.

Paralajmërimi u dërgua gjithashtu në celularët smart, apo dhe në ekranet e mëdha digjitale. Por ndërsa teknologjia tradicionale funksionoi mjaft mirë, njoftimet digjitale nuk ishin të besueshme. Disa mesazhe nuk mbërritën asnjëherë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se pjesërisht nuk funksionoi,” tha një zëdhënëse e Federatës së Mbrojtjes Civile (BBK) pas testimit. “Kishte vonesa për shkak të mbingarkesës së sistemit paralajmërues modular por do të punojmë për përmirësim të sistemit. ‘’

Në kulmin e luftës së ftohtë, kishte rreth 86,000 sirena në të gjithë Gjermaninë. Shumica u shpërbë gjatë ribashkimit në 1991 por ato ende ekzistojnë në shumicën e qyteteve. Në Berlin, shumica e sistemeve të alarmit u çmontuan vitet e fundit pasi banorët u ankuan për zhurmën. Disa rajone, të tilla si Saksonia dhe Bavaria, rivendosën sirenat pas përmbytjeve të mëdha në 2002.

Alarmet do të jenë në dispozicion për një sërë emergjencash, si aksidentet biokimike, zjarret, përmbytjet, sulmet terroriste dhe pasojat bërthamore.