Gjermania mbyll platformën në internet të lëvizjeve majtiste

559
Gjermania mbylli sot platformën kryesore në internet, të mbështetësve të grupimeve majtiste linksunten.indymedia.org dy muaj pas protestave të dhunshme antikapitaliste, që ndodhën gjatë samitit të G20-ës në Hamburg.

“Veprimet e kësaj faqe tani janë një vepër penale”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere, duke shtuas se mbyllja e kësaj platforme ishte si pasojë e ngjarjeve që ndodhën në samitin e G20-ës.

Por ky vendim i Berlinit erdhi gjithashtu vetëm katër javë para zgjdhjeve të përgjithshme në Gjermani, ku kancelarja Angela Merkel shpreson të fitojë një mandat të katërt më 24 shtator.

Merkel kishte marrë shumë kritika për zhvillimin e këtij samiti në Hamburg, që është një qytet ku ka një numër të lartë grupimesh të majta.

“Shumë armë si thika, shkopinj, tuba dhe llastiqe u gjetën gjatë kërkimeve të policisë ne ambientet e lidhura me këtë faqe. Por asnjë arrestim nuk u krye”, vazhdoi De Maiziere.

Autoritetet gjermane të sigurisë besojnë se kjo faqe, e cila ishte hapur që në vitin 2009, është platforma më influencuese për ekstremizmin e majtë, dhe ka shërbyer si forum për grupimet e dhunshme.

“Numri i ekstremistëve të përgatitur për të kryer veprime të dhunshme kishte arritur në 28 500 vitin e kaluar, niveli më i lartë që prej vitit 2012”, njoftuan forcat gjermane të sigurisë.
Sigal