Gjermani/ Qëllohet me breshëri plumbash 36-vjeçari shqiptar

Një 36-vjeçar shqiptar në Gjermani është qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar.

Ngjarja ka ndodhur në Gathe dy ditë më parë.

Sigal

Sipas mediave gjermane, ka qenë ora rreth 21:00 kur qytetarët njoftuan policinë për të shtëna me armë zjarri.

Sapo autoritetet shkuan në vendngjarje, në rrugë gjetën të shtrirë shqiptarin, i cili kishte plagë arme. Pak më tutje ishte automjeti i tij i ndaluar në mes të rrugës.

36-vjeçari kishte mbetur i plagosur dhe u dërgua në spital, ku aktualisht është nën kujdes intensiv.

Nga hetimet e deritanishme të policisë gjermane është mësuar se shqiptari ka qenë brenda makinës së tij kur u qëllua me armë.

Edhe pse mbeti i plagosur, ishte në gjendje të dilte nga mjeti tip BMË, dhe më pas u gjet i shtrirë në rrugë. Pranë tij u gjet edhe një armë, për të cilën nuk ka të dhëna se kujt i përket.

Sa për autorët, ende nuk ka asnjë pistë nëse ka qenë një person i vetëm apo disa që sulmuan 36-vjeçarin shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.

Aktualisht po hetohet në pistën e vrasjes të mbetur në tentativë, ndërsa hetuesit gjermanë po kërkojnë edhe ndihmën e dëshmitarëve okularë.