Dritëshkurtësia e Perëndimit po gërryen nga brenda demokracinë

470
Sigal

Ekspertët e BE-së dhe SHBA-ve deklarojnë se mungesa e shtetit ligjor në vendet e Ballkanit Perëndimor do të sjellin pasoja të rënda pë demokracinë. Stabiliteti fallco, stabilokratët e mbështetutr nga emisarët e BE-së, lidhja me krimin, korrupsionin dhe revolta Ballkanike. Reagojnë Artan Fuga, Agim Nesho dhe Spartak Topollaj

Deutsche Welle: Kujdes me stabilokratët e Ballkanit perëndimor, po gërryejnë nga brenda demokracinë

Stabiliteti në Ballkan është në interes të Europës – me këtë formulë Franca dhe Gjermania gjejnë një emërues të përbashkët në politikën për Ballkanin Perëndimor. Por kjo nuk mjafton, mendon Adelheid Feilcke. Stabilitet, stabilitet, stabilitet – ky është elementi bashkues që do ta bëjë Gjermaninë dhe Francën të kujdesen sërish më intensivisht për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai është edhe emëruesi i përbashkët i një politike mes Berlinit e Parisit, që nuk është pa dallime kur vjen puna tek Ballkani Perëndimor. Por edhe një pikënisje realiste pozitive, që artikulon qartë interesin për Ballkanin, pa pasur pritshmëri të kota dhe ndezje shpresash. Në samitin për Ballkanin Perëndimor në Berlin, që në fillim të dy politikanët e nivelit të lartë, nuk e fshehën, se për çfarë nuk do të bëhet fjalë në këtë takim joformal: Nuk do të flitet për perspektivën europiane, as për Procesin e Berlinit, dhe as “për t’i diktuar një zgjidhje” Prishtinës dhe Beogradit në konfliktin për çështjen e Kosovës. Se përse do bëhej fjalë më shumë, edhe kjo u bë e qartë: Siguria, luftimi i kontrabandës së armëve, terrorizmi, migracioni i pakontrolluar dhe kriminaliteti i organizuar. Këto janë interesat e përbashkët prioritare për rajonin.

Kujdes me stabilokratët

Prioriteti i stabilitetit e bën politikën për Ballkanin Perëndimor konsekuente dhe të argumentueshme në Europën e BE-së, por ai duhet të përplotësohet politikisht. Sepse në fund stabilitetin e dëshiruar mund ta garantojë vetëm një partner i besueshëm politikisht. Dhe besueshmëria e politikës funksionon edhe në Ballkanin Perëndimor përmes organeve demokratike të kontrollit dhe politikës demokratike të legjitimuar. Kush nuk e merr seriozisht sa duhet sot shtetin ligjor, nuk ka për të qenë aq serioz edhe në politikën e jashtme. Të besosh tek stabilokratët, që vërtet zbusin valët e refugjatëve, por gërryejnë nga brenda demokracinë është dritëshkurtësi. Gabimet e bëra në rajone të tjera nuk duhet të përsëriten në Ballkanin Perëndimor! Prandaj është shumë e vlerësueshme, që megjithatë në fund të këtij samiti të Ballkanit Perëndimor dolën konkluzione politike të bashkë iniciatorëve gjermano-francezë. Ato u sjellin ndër mend pjesëmarrësve ndër të tjera detyrimin “për qëndrim të patundur pro demokracisë, […] shtetit ligjor dhe akte të përgjegjshme shtetërore, për luftimin e korrupsionit si edhe forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe mediave të pavarura.

Darka e gabuar” në Berlin. Vetëm premtime dhe revoltë ballkanike

Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha, të gjithë pjesëmarrësit e samitit të Berlinit duket se po kthehen në shtëpi “duarbosh”. Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev nuk e kanë marrë sigurinë për hapjen e negociatave, edhe pse ky i fundit ka kërcënuar me dorëheqje, nëse Shkupit nuk i hapen dyert e Bashkimit Europian. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj dështuan të bindin Angela Merkel dhe Emmanuel Macron për liberalizimin e vizave, ndërkohë që Aleksandër Vuçiç po kthehet në shtëpi i zhgënjyer pasi nuk ia doli të bindte Prishtinën zyrtare për heqjen e taksës. Por çfarë ndodhi gjatë darkës së punës në Berlin dhe a solli ky samit stabilitet për rajonin? Takimi me dyer të mbyllura duket se kaloi me përplasje të vazhdueshme, diskutime me tone të larta dhe liderë që i drejtoheshin me ‘gisht’ njëri-tjetrit si shenjë kërcënuese.  Edhe pse videot dhe fotot e kryeministrave Rama dhe Haradinaj tregojnë takime dhe përshëndetje miqësore me presidentin francez dhe kancelaren gjermane, prapa dyerve të mbyllura, atmosfera duket të ketë qenë tejet e acaruar. Mediat në Prishtinë thonë se ka pasur një përplasje të ashpër mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Emmanuel Macron për shkak të tarifës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. Sipas burimeve presidenti Macron, e ka sulmuar ashpër Haradinaj, duke i thënë se ai ka qenë shkaktar për ndërprerjen e dialogut Kosovë-Serbi. Madje, në një moment presidenti francez i është drejtuar me gisht kryeministrit Haradinaj. Por tensionet nuk kanë mbaruar me kaq, pasi u shtuan në kohën kur fjalën e mori presidenti Hashim Thaçi. Burimet bëjnë të ditur se Thaçi ka kritikuar ashpër gjatë takimit Bashkimit Europian, sidomos për mosliberalizimin e vizave. Kur presidenti i Kosovës doli tek Porta e Brandenburgut për të dhënë deklaratën pas samitit afër mesnatës, gazetarët kishin dy orë që po prisnin duke u dridhur në temperaturat dimërore të kryeqytetit gjerman. Vonesa prej gati dy orësh erdhi pas përpjekjeve të pasuksesshme të Merkel dhe Macron për të bindur Prishtinën të hiqte tarifat. Më i zymtë se kurrë, Thaçi u tha gazetarëve se kishte marrë lajme zhgënjyese për liberalizmin e vizave, pasi sipas tij kjo çështje ishte injoruar nga Berlini dhe Parisi. “Çështja e liberalizimit të vizave është lënë në një pozicion injorues dhe zhgënjyes. Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, deklaroi ai. Mesa duket për Prishtinën zhgënjyese kishte qenë këmbëngulja e Francës për të mos liberalizuar regjimin e vizave ndaj Kosovës. Sipas burimeve të DË, presidenti Macron kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i emigrantëve të parregullt ashtu edhe i kriminalitetit nga këto vende. Ashtu siç edhe pritej, kreu i Elizesë tha se nuk mund të marrë një vendim të tillë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e parlamentit europian. Macron ka deklaruar se nëse do të hiqte vizat edhe për Kosovën, do t’i jepte një argument partisë së Frontit Nacional të Marine Le Pen. Por këto argumente duket se kanë qenë tejet zhgënjyese për Thaçin. Por Thaçi, Haradinaj dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli janë përplasur ashpër edhe me palën serbe. Thaçi tha para gazetarëve se konfrontimi me palën serbe kishte qenë “i rëndë” për delegacionin e Kosovës. Sipas tij, pavarësisht ndërhyrjes së kancelares Merkel, pala serbe, nuk kishte dashur të pranonte në asnjë mënyrë njohjen e Kosovës, kusht ky i vënë nga Kosova për të hequr tarifat doganore. Ashtu siç edhe pritej, kryefjala e samitit duket se ka qenë dialogut Kosovë-Serbi, dhe pengesat me të cilat po ballafaqohet ky proces. Thaçi nuk e shmangi çështjen e kufijve, duke thënë se në rast të arritjes së një marrëveshjeje, demarkacioni i kufirit Kosovë-Serbi është i pashmangshëm. “Kur do që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë demarkacioni i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga cenimi i sovranitetit tonë”, theksoi ai, teksa tha se pretendimet se po bëhen përpjekje për ndryshim kufijsh në vija etnike janë krejtësisht të pavërteta. Thaçi siguroi që nuk do të ketë shkëmbim të territoresh, edhe pse u zotua se do të angazhohet për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës, deklaratë që duket se nuk është pritur mirë nga kancelaria Merkel. Por ndërkohë që Presidenti theksonte se do të angazhohej për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën, Haradinaj nuk e fshehu zemërimin duke këmbëngulur se nuk do të lejonte “prekjen” e kufijve. Gjatë darkës së punës, ai ka këmbëngulur se një skenar i tillë do të mund të çonte drejt ndarjes etnike. Sipas Haradinaj, në kuadër të procesit të dialogut duhet të ndodhë njohja reciproke mes dy shteteve, pasi pa njohje sipas tij, nuk mund të ketë progres. “Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Rishikimi i kufijve do të shkaktonte fillimin e një vale të re ndarjeje etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës. Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për t’i hapim kufijtë tanë dhe jo të krijojmë kufij të rinj”, theksoi ai. Në fjalimin e mbajtur në takimin e Berlinit, Haradinaj po ashtu kërkoi që qytetarëve të Kosovës t’u jepet e drejta e lëvizjes së lirë. “Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat që gëzojnë vendet tjera dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtarë të Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Europian”, deklaroi ai, duke kërkuar kështu edhe përfshirjen e SHBA-së. Por ashtu si Thaçi, edhe Haradinaj duket se është kthyer i zhgënjyer në shtëpi.

Shqipëria në vjeshtë

Kryeministri Edi Rama, nga ana tjetër nuk ka zbuluar ende detaje nga takimi, por sinjalet e nga Berlini nuk flasim për rezultate pozitive. Negociatat ishin një nga temat e diskutimit Merkel-Rama, por sipas raporteve të mediave gjermane, Shqipëria duket se ka mbetur sërish në klasë. Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmojnë për DË se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit. Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut. Siç mësoi DË nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë DË se vendimi i tyre do të shtyhet në shtator. Vetë Kryeministria është treguar e rezervuar rreth qëndrimeve të Kancelares Merkel përsa i përket pozicionit që do të mbajë Gjermania ndaj raportit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave. Edhe pse Rama premtoi para samitit të Berlinit se do të zbulonte se çfarë do t’i kërkonte kancelares gjermane, Kryeministria nuk ka ndarë shumë detaje, duke thënë se në takim është diskutuar mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Liderët e Ballkanit të kthehen duarbosh

Fillimisht ishte parashikuar nënshkrimi i një dokumenti nga të gjithë pjesëmarrësit, por në fund të takimit zyra e shtypit e kancelares gjermane bëri publik vetëm konkluzionet e kryesisë së përbashkët franko-gjermane. Fryma e dokumentit të publikuar gjatë natës është pozitive dhe përmban një gjuhë të përgjithshme. Në dokument nuk përmenden as tarifat doganore ndaj Serbisë, e as propozimi për ndryshim kufijsh dhe as negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dukë bërë që liderët e Ballkanit të kthehen në shtëpi duarbosh. Por në 1 korrik ata do të bëhen sërish bashkë. Këtë herë mikpritësi do të jetë presidenti i Francës, Macron. Takimi pas dy muajsh do të vijë kur të kenë përfunduar zgjedhjet për Parlamentin Europian, të jetë publikuar raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të jetë mësuar vendimi i liderëve të BE-së, nëse negociatat do të hapen për këto dy vende, apo do të shtyhen në vjeshtë.

Akademik Artan Fuga: Çfarë kemi dhe çfarë nuk kemi!

Kemi Kuvend, por nuk kemi deputetë, kanë ikur! Kemi Akademi Shkencash, por pa shkencë brenda, asnjë pike! Kemi Ministri Drejtësie, por nuk kemi ende gjykata! Kemi drejtori hekurudhash, por nuk kemi trena.  Kemi ministri të jashtme, por nuk kemi ministër! Kemi ministri mbrojtjeje, por nuk kemi ushtarë!  Kemi drejtori peshkimi, por pa anije peshkimi! Kemi ekonomi tregu, por pa bursa aksionesh.  Jemi vend europian, por nuk na pranojnë në Europë! Kemi votime, por nuk kemi zgjedhje, sepse kemi rizgjedhje!  Kemi autonomi universitare, por rektorët i heq dhe i ve shteti!  Do të kemi stadium futbolli europian, por asnjë ekip futbolli në Europë! Kemi kombëtare futbolli, por nuk kemi trajner dhe lojtarë, janë shpërndarë andej këndej! Kemi punë, por thuhet se nuk ka kush punon!!! Kemi një komb me shqiptarët e Kosovës, por nuk kemi një shtet! Kemi kopësht zoologjik, por nuk kemi kafshë të egra në të!  Kemi pista, por nuk kemi biçikleta!  Kemi teatër, por nuk kemi drama. Kemi të kaluar, por nuk kemi kujtesë.

 

Diplomati Agim Nesho: Shqipëria nuk bëri detyrat, liderët janë të lidhur me krimin

Samiti i Berlinit është qartësisht e dukshme që është bërë posaçërisht për Ballkanin Perëndimor. Merkel e ka iniciuar këtë samit. Gjermania dhe Franca janë dy shtetet, që kanë rol parësor në hapësirën europiane. Europa po e kalon krizën e vet dhe do të zgjidhë ato në Ballkanin Perëndimor. Është problem Kosova, ka probleme në Bosnjë, në vendin tonë në Shqipëri sigurisht, në Maqedoninë Veriore. Në samit nuk u mor një vendim me rëndësi, por Europa tregoi se në këtë rajon është zonjë e vetes. Në Ballkanin Perëndimor ka një paradoks, pasi populli e do integrimin në BE, ndërsa liderët dhe grupet e interesit jo aq, për shkak të korrupsionit, lidhjeve me krimin etj, të cilat bien ndesh me parimet europiane.

Diplomati Spartak Topollai: Stabilokracia e kryeministrit Rama ra në Berlin

Teza e trinomit Rama-Thaçi-Vuçic, u hodh poshtë nga Samiti i Berlinit dhe nuk do të ketë ndryshim kufinjsh për Kosovën pasi cënon rëndë stabilitetin në Ballkan. Kryeministri Rama mbeti i zhgënjyer nga samiti, edhe pse propagandoi më parë krejt të kundërtën. Krimi i organizuar, aferat korruptive, raportet për shitblerjen e votave dhe dalja e mijëra qytetarëve në shesh për të kërkuar largimin e tij, ndikoi fort në ftohtësinë e Merkel dhe ndërkombëtarëve, të cilët jo vetëm kritikuan ashpër kryeminstrin, dhe i treguan hapur se nuk do të ketë çelje negociatash.