Ja kryebashkiakët miliarderë të Shqipërisë

973
Sigal

Më shumë se gjysma e kryebashkiakëve aktualë nuk justifikojnë dot pasurinë marramendëse që kanë në emër të tyre ose të familjarëve që figurojnë me asistencë. 6 kryetarë bashkish kanë pasuri mbi 1.5 miliardë lekë, dhe 423 të tjerë nga 100 milionë deri në 1 miliardë. Ja shifrat tronditëse

Në total, shuma e pajustifikuar nga burimet e deklaruara kap vlerën e 201 milionë lekëve 1.6 milionë euro

Gjysma e kryebashkiakëve të Shqipërisë ngelin në testin e pasurisë

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizës së thelluar të deklaratave të pasurisë tregojnë se më shumë se gjysma e kryetarëve të bashkive në Shqipëri kanë mospërputhje financiare dhe nuk mund të justifikojnë pasurinë e tyre për një ose më shumë vite të karrierës. Më 30 qershor, qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 61 bashkive të vendit. Kandidatët që do të zgjidhen për herë të parë, njësoj si ata që do të marrin një tjetër mandat, janë të detyruar që të dorëzojnë çdo vit deklaratat e tyre të pasurisë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Të dhënat sugjerojnë se niveli i mospërputhjeve në deklaratat e pasurisë së politikanëve lokalë është shumë herë më i lartë se sa numri i padive të ngritura nga ILDKPKI. Një analizë e të gjitha deklaratave të pasurisë që 61 kryebashkiakët aktualë kanë dorëzuar deri në fund të vitit 2017 zbulon se 54 për qind e tyre nuk mund të justifikojnë rritjen e pasurisë së tyre për të paktën 1 vit të karrierës. Në total, shuma e pajustifikuar nga burimet e deklaruara kap vlerën e 201 milionë lekëve 1.6 milionë euro.

Pasuri të pajustifikuara

Kryetarët e bashkive zënë vetëm 1.3 për qind të numrit të përgjithshëm të zyrtarëve publikë. Nga 61 kryebashkiakët e verifikuar, vetëm 28 rezultuan pa probleme me pasurinë e deklaruar, ndërkohë që 33 kryetarë bashkish apo 54 për qind e totalit kishin të paktën në 1 vit të karrierës së tyre diferenca negative mes të ardhurave të deklaruara nga njëra anë dhe aseteve apo shpenzimeve në anën tjetër. Mes 33 kryebashkiakëve, 22 rezultojnë me diferenca të pambuluara vetëm për një vit të karrierës së tyre. 11 kryebashkiakët e tjerë shfaqen me diferenca negative nga 2 deri në 6 vite të deklarimit të pasurisë. Vlera totale e pajustifikuar me burime të ligjshme nga 33 kryetarët e bashkive vlerësohet në 1.6 milionë euro, ose 10% e pasurisë totale të deklaruar nga 61 kryetarët aktualë. Analiza e deklaratave të pasurisë tregon gjithashtu se asnjë prej kryetarëve të bashkive nuk ka deklaruar shpenzime jetese përgjatë viteve 2003-2017. Nëse deklarimeve të tyre financiare do t’u shtoheshin edhe kostot e minimumit jetik për familje, numri i deklaratave me probleme do të rritej nga 60 në 139, ose 32 për qind e deklaratave totale. Kjo do të thotë se nga 61 kryebashkiakët në detyrë, 57 do të kishin të paktën në një vit të karrierës së tyre pasuri të pajustifikuar përmes burimeve të deklaruara.

“Flamuj të kuq” me shumicë

Të dhënat e siguruara tregojnë se 61 kryebashkiakët kanë deklaruar së bashku pasuri bruto me vlerë 14.2 milionë euro përpara se të fillonin mandatin si të zgjedhur vendorë, me një pasuri mesatare për secilin prej tyre në vlerën e 233.890 eurove. Në fund të vitit 2017, pasuria totale e kryebashkiakëve llogaritet në 18.7 milionë euro, duke shënuar rritje me 4.5 milionë euro. Megjithatë, ndarja e pasurisë mes kryebashkiakëve nuk është e njëjtë. Të dhënat tregojnë se 6 kryetarë bashkish kanë pasuri më të madhe se 1 milion euro, 28 të tjerë kishin pasuri të përllogaritur mes 100 mijë dhe 1 milion euro dhe 15 kryebashkiakë deklarojnë në fashën 50 mijë deri 100 mijë euro.

Vetëm 12 kryetarë bashkish kanë deklaruar pasuri më të vogël se 50 mijë euro.

Nga pasuria totale prej 18.7 milionë eurosh, 76% përbëhet nga pasuri të paluajtshme, 11.4% nga likujditetet bankare dhe 5.6% ose 1,047,202 euro mbahet në gjendje cash. Një vlerë më e vogël, 251,595 deklarohet t’u jetë dhënë hua personave të tretë. Vlera e lartë e parave të mbajtura jashtë sistemit bankar apo huatë ndaj personave të tretë, të cilat përbëjnë se bashku 6.9% të aseteve totale konsiderohen “flamur i kuq” nga praktikat më të mira ndërkombëtare; çka duhet të nxiste ILDKPKI-në të ndërmarrë kontrolle të thelluara financiare. Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë së kryebashkiakëve është fakti që asnjë prej tyre nuk deklaron ndonjëherë objekte me vlerë të veçantë më shumë se 300 mijë lekë. Pronësia e aksioneve në kompani private llogaritet në 0.3% të aseteve totale.  Në fund të vitit 2017, 61 kryebashkiakët kishin së bashku 3.8 milionë euro detyrime, nga të cilat 55.2 për qind u takonin bankave, 32.1 për qind ishin hua të marra ndaj personave të tretë dhe 12.6 për qind ishin detyrime të papaguara ndaj kompanive të ndërtimit. Fakti që 45 për qind e detyrimeve të deklaruara nga 61 kryebashkiakët ishin hua të marra nga persona të tretë apo detyrime të papaguara ndaj kompanive të ndërtimit, shënon një tjetër problem që duhet hetuar. Rreth 61 për qind e shpenzimeve të deklaruara nga kryebashkiakët lokalë shkojnë për pagesat e detyrimeve, çka duhet gjithashtu të ngrejë këmbana alarmi për hetuesit vendas. Të ardhurat totale të 61 kryetarëve të bashkive gjatë viteve të tyre në detyrë kapin një vlerë prej 8.7 milionë euro. Rreth 66.5 për qind e këtyre të ardhurave buron nga paga si kryebashkiakë dhe pagesat e familjarëve. Një pjesë e konsiderueshme, rreth 14 për qind e të ardhurave rrjedh si divident nga bizneset dhe një tjetër 5.9 për qindësh nga transaksionet me pasuri të patundshme. Vlera e lartë e të ardhurave që derivojnë nga bizneset dhe transaksionet me pasuri të patundshme, qiratë apo dhuratat në cash konsiderohen gjithashtu “flamuj të kuq” për pasuritë e politikanëve lokalë.