Frank SHKRELI/ 60-vjetori i themelimit të Asamblesë së Kombeve të Robëruara Europiane

491
Sigal

Në kujtim të Vasil Gërmenjit

y vit shënon 60-vjetorin e themelimit të Asamblesë së Kombeve  Europiane të Robëruara, e njohur shkurtimisht si ACEN (Assembly of Captive European Nations) më 20 shtator, 1954.  Kjo organizatë, që nëpërmjet komitetit “Europa e Lirë”, financohej nga buxheti i qeverisë federale amerikane, ishte në të vërtetë një koalicion i përfaqësuesve politikë e kulturorë të arratisur nga nëntë ish -vende komuniste të Europës Lindore dhe Qendrore, të cilat kishin mbetur nën influencën e Bashkimit Sovjetik, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.  Në Asamble përfaqësoheshin Shqipëria, Bullgaria, Çekosllovakia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia dhe Rumania.  Asambleja, me qendër në Nevv York dhe me zyra në Bonn, Londër dhe Paris, si objektiv të  veprimtarisë së saj kishte për qëllim, “Çlirimin e këtyre vendeve nga diktatura komuniste me mjete paqësore, për të edukuar opinionin publik mbi gjendjen aktuale përtej perdes së hekurt, si dhe për të siguruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e institucioneve qeveritare dhe jo qeveritare”, për veprimtarinë e saj. Ndër aktivitetet më të njohura gjatë  ekzistencës së saj, përveç botimeve të ndryshme për të informuar publikun mbi gjendjen në botën komuniste, ajo promovonte çdo vit një javë dedikuar vendeve nën regjimet komuniste, gjatë së cilës ndër të tjera informoheshin zyrtarisht anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara mbi gjendjen në vendet e tyre nën komunizëm.  Java e tretë e korrikut ishte caktuar me dekret të presidentit të Shteteve të Bashkuara, si “Java e Kombeve të Robëruara” nga komunizmi dhe Shtëpia e Bardhë lëshonte çdo vit një deklaratë me këtë rast.

 Asambleja e Kombeve Europiane të Robëruara u themelua pas miratimit nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të disa deklaratave mbi të drejtat e njeriut, pas Luftës së Dytë Botërore, por të cilat jo vetëm që nuk zbatoheshin nga vendet komuniste, por dhunoheshin në mënyrën më flagrante që mundej.  Qëllimi i përfaqësuesve të këtyre vendeve anëtare të Asamblesë, ishte që së bashku, të ishin një burim i autorizuar dhe i besueshëm informacioni mbi ato që po ndodhnin në vendet përtej perdes së hekurt dhe njëkohësisht të shërbenin si forum diskutimi dhe qendër e shkëmbimit të lirë të mendimeve.  Materialet e botuara nga ACEN-i shpërndaheshin nëpër  shkolla, universitete dhe institucione të ndryshme, anë e mbanë Amerikës dhe botës, në anglisht dhe gjuhë të tjera.  Komisione të ndryshme të Asamblesë së Kombeve të Robëruara Europiane, përpilonin  raporte të ndryshme dhe deklarata zyrtare mbi  shkeljen e të drejtave të njeriut në vendet komuniste mbi persekutimin e fesë, mbi të drejtat e grave dhe mbi gjenocidin, ndër të tjera subjekte.  Udhëheqësit e ACEN-it udhëtonin brenda dhe jashtë Amerikës dhe takoheshin, përveç zyrtarëve më të lartë amerikanë, edhe me udhëheqës ndërkombëtarë, si një veprimtari e nevojshme për të informuar botën mbi gjendjen e këtyre vendeve nën komunizëm si edhe mbi shkeljen e egër dhe dhunimin e të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës komuniste.  Me fjalë të tjera, e gjithë veprimtaria e tyre kishte për qëllim që të mos harroheshin vendet e robëruara nën komunizmin sovjetik, ndërkohë që organizonin ekspozita anti-komuniste, ku tregoheshin persekutimet komuniste ndaj kundërshtarëve të tyre, ndërsa dokumentoheshin edhe standardet e ulëta të jetesës në vendet komuniste.  Këto ekspozita shfaqeshin, jo vetëm  anë e mbanë Amerikës, por dhe në qytete të ndryshme botërore. Mirëpo, nga fundi i ‘60-ave dhe fillimi i ‘70-ave, filloi të binte mbështetja  zyrtare për ACEN-in dhe si përfundim, veprimtaria e kësaj organizate filloi të bie gjithashtu.  Ishte kjo periudha e politikës së detantës midis dy superfuqive të mëdha të kohës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Por megjithëkëtë, kjo organizatë ka një histori prej dy dekadash veprimtarie të dalluar, në mbështetje të parimeve të Kartës së Atlantikut, të zbatimit të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, në luftën e saj për  realizimin e aspiratave të drejta që të gjithë popujt të gëzojnë lirinë njerëzore dhe pavarësinë kombëtare.

 Interesat e secilit vend anëtar të ACEN-t përfaqësoheshin nga komitetet kombëtare të krijuara në Shtetet e Bashkuara. Në rastin e Shqipërisë, ishte Komiteti “Shqipëria e Lirë”, organizata që përfaqësonte interesat e Shqipërisë në këtë forum dhe njëkohësisht shërbente si burim informacioni mbi gjendjen e vendit nën regjimin komunist. Komiteti “Shqipëria e Lirë” ishte pasardhës i dy Komiteteve Kombëtare të mëparshme, të cilat që prej vitit 1949 punuan drejtë qëllimit për çlirimin e atdheut nga regjimi komunist. Më 1964, Asambleja e Kombeve Europiane të Robëruara zgjodhi për kryetar të saj Vasil Gërmenjin, anëtarin e “Komitetit Shqipëria e Lirë” që drejtohej nga Dr. Rexhep Krasniqi, kryetar dhe Idriz Lamaj, sekretar.

Zgjedhja e Vasil Gërmenjit si kryetar i Asamblesë gëzoi shumë komunitetin e vogël shqiptaro-amerikan të asaj kohe, sepse, sipas gazetës “Shqiptari i Lirë”, përfaqësuesit më të shquar politikë të Europës Lindore dhe Qendrore kishin zgjedhur një shqiptar si kryetar të radhës të organizatës së tyre në botën e lirë. Vasil Gërmenji ishte i njohur mirë jo vetëm në radhët e emigracionit shqiptar, por çka ishte edhe më e rëndësishme, ai njihej shumë mirë edhe në qarqet ndërkombëtare dhe ato të politikës amerikane. Nga disa të dhëna të gazetës “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë” të vitit 1964, mësohet se Vasil Gërmenji ishte bir i Telemak Gërmenjit dhe nip i Themistokli Gërmenjit, i pari i vrarë nga grekët dhe i dyti i vrarë nga francezët, si rezultat i intrigave greke. Historia shqiptare e njeh familjen e Vasil Gërmenjit si një familje atdhetarësh të shquar që luftuan dhe flijuan veten, vetëm e vetëm që Shqipëria dhe kombi shqiptar të jetonin të lirë dhe të pavarur. Si bir i kësaj familjeje të shquar, megjithëse në mërgim, ai ishte i destinuar nga fati t’i shërbente Atdheut. I dalë nga një edukatë e fortë shqiptaro-franceze dhe i frymëzuar nga politika dhe letërsia franceze, Vasil Gërmenji kishte një besim të thellë në lirinë dhe në pavarësinë e kombit të vet si dhe në lirinë individuale dhe në të drejtat bazë të njeriut. Si i tillë, ai angazhon veprimtarinë e tij politike në Shtetet e Bashkuara duke luftuar kundër çdo formë tiranie, e imponuar nga brenda ose nga të huajt. Me këto ndjenja të forta për liri dhe demokraci për veten dhe kombin e vet, Vasil Gërmenji, para se të arratisej nga Shqipëria –shërbeu si profesor në Shkollën Teknike të Tiranës, por detyrohet të largohej nga Atdheu më 1939, duke kundërshtuar zaptimin e vendit nga të huajt dhe më vonë, kundërshton me çdo mjet dhe me çdo mënyrë edhe diktaturën komuniste të imponuar nga një rreth i ngushtë individësh, të cilët gjoja në emër të popullit, për pothuaj një gjysmë shekulli hodhën në mjerim mbarë kombin dhe zbatuan një terror të paparë anti-njerëzor ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist.

 Fati dhe tradita familjare e kishte caktuar Vasil Gërmenjin që të jepte kontributin e vet në përpjekjet e asaj kohe për çlirimin e Atdheut të vet nga zgjedha komuniste, si njëri prej përfaqësuesve më të dalluar të diasporës anti-komuniste shqiptare në botën e lirë. Ai e zhvilloi këtë veprimtari duke filluar nga viti 1953 kur shërbente si anëtar i Ekzekutivit të Komitetit Kombëtar ”Shqipëria e Lirë”, ndërsa që prej vitit 1956 shërben si anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nevv York dhe si përfaqësues i këtij komiteti pranë Asamblesë së Vendeve të Robëruara Europiane. Megjithëse, për një kohët shkurtë, unë kisha fatin ta njihja Vasil Gërmenjin, për mua dhe  për të gjithë  ata që e njohën atë, Vasil Gërmenji ishte i palodhshëm në punën për të mirën e Atdheut dhe posedonte një dedikim të rrallë dhe dashuri për Atdheun.  Ai kishte një vet mohim si rrallë kush ndaj asaj që në atë kohë e cilësonim si “çështjes shqiptare”, me të cilën nënkuptohej liria dhe demokracia për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre.  Vasil Gërmenji besonte se pa çlirimin nga komunizmi i të gjitha vendeve të Europës Lindore e Qendrore, nuk do të kishte liri as për Shqipërinë dhe shqiptarët, andaj përveç çështjes shqiptare, Vasil Gërmenji njihej edhe si veprimtarë në favor të lirisë dhe demokracisë edhe për vendet e tjera ish-komuniste të Europës.  Si i tillë, ai fitoi mirënjohjen dhe besimin e kolegëve të tij në organizatën e ACEN-it, duke e zgjedhur atë kryetar të Asamblesë së Kombeve të Robëruara Europiane më 1964.

Kur drejtohej nga Vasil Grëmenji dhe në përgjithësi gjatë gjithë ekzistencës së saj, konsiderohet se organizata ACEN ka dhënë një kontribut të çmuar drejtë lirisë dhe demokracisë në Europë, duke njoftuar botën mbi persekutimet komuniste dhe duke dënuar në mënyrën më të ashpër Bashkimin Sovjetik dhe satelitët e tij për shkeljet e të drejtave bazë të njeriut anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore.  Asambleja përpiqej, gjatë veprimtarisë së saj, që të njoftonte jo vetëm vendet anëtare dhe Shtetet e Bashkuara, por mbarë botën -përfshirë organizata siç ishin Këshilli i Europës, NATO dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara – se komunizmi, si ideologji prekte gjithë botën si një sëmundje ngjitëse. Qëllimi dhe shpresa ishte se si rrjedhim atëherë bota nuk do të harronte fatin e keq që kishte goditur vendet komuniste dhe si përfundim, shpresohej se më në fund, kur bota ta kuptonte rrezikun që vjen nga komunizmi,një gjë e tillë do të nxiste fillimin e procesit të rivendosjes së lirisë dhe demokracisë në vendet satelite komuniste sovjetike.

Falë punës së rëndë të Vasil Gërmenjit dhe përfaqësuesve të tjerë europianë në Asamblenë e Vendeve Europiane të Robëruara, veprimtaria e saj gjatë viteve kishte siguruar edhe admirimin e përfaqësuesve më të lartë të politikës amerikane për veprimtarinë e saj në fushën e lirisë dhe të pavarësisë së kombeve. Presidenti amerikan Lyndon Johnson, me rastin e 10-vjetorit të themelimit të ACEN më 1964, në një mesazh drejtuar asaj me këtë rast shkruan se, “Asambleja e Vendeve të Robëruara Europiane , ka ndihmuar t’i kujtojë botës se sigurimi i lirisë nuk është  një objektiv bisedimesh vetëm për  vendet e Azisë dhe të Afrikës, por edhe për shumë vende të tjera, si ato të Europës.”  Presidenti Johnson me atë rast u shpreh: “Shpresën se anëtarët e Asamblesë së Vendeve të Robëruara Europiane do të shohin një ditë realizimin e shpërblimit të vetëm që ata kërkojnë, e që është rivendosja e plotë e lirisë dhe e pavarësisë së kombeve që ranë nën thundrën e diktaturës komuniste pas Luftës së Dytë Botërore”.

Vasil Gërmenji dhe patriotët e tjerë shqiptarë të gjeneratës së tij, megjithëse, fatkeqësisht nuk jetuan të shihnin Shqipërinë e lirë dhe demokratike dhe as Kosovën e  lirë dhe të pavarur, ata nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre duke promovuar në botën e lirë shpirtin liridashës të kombit shqiptar si dhe dëshirën e tij për t’u radhitur në “klubin” e  kombeve të lira të kontinentit europian. Nuk do të kishte shpërblim më të madh për këta patriotë si Vasil Gërmenji, se sa integrimin e plotë dhe sa më të shpejt të Shqipërisë dhe të Kosovës në të gjitha organizmat euro-atlantike.  Një gjë e tillë do të realizonte ëndrrën e këtyre patriotëve- të cilëve zemra s’u pushonte kurrë së rrahuri për Atdheun e tyre – që kombi shqiptar më në fund të jetojë në liri, në paqe dhe në drejtësi të përhershme me veten dhe me të tjerët.