Ekzekutoi shqiptarin që i sulmoi shtëpinë me eskavator, por e liroi gjykata, italiani: U vetëmbrojta, do të vriste 6 persona

84
Sigal

Gjykata e Arezzos në Itali la të lirë dje 53-vjeçarin Sandro Mugnai, i cili ekzekutoi fqinjin e tij shqiptar Gëzim Dodoli, mbrëmjen e 5 janarit. Ngjarja ndodhi teksa 59-vjeçari shqiptar po prishte shtëpinë në të cilën ndodhej Mugnai me familjen dhe të afërmit. Mediat italiane thanë se gjyqtari hetues vlerësoi se nuk ka rrezik arratisjeje, përsëritjeje të krimit apo rrezik nga manipulimi i provave dhe nuk urdhëroi masë sigurie ndaj 53-vjeçarit italian.

Mugnai iu përgjigj pyetjeve gjatë seancës gjyqësore, ndërsa pohoi se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi rrezikoheshin 6 jetë në banesë.

Ngjarja e rëndë ndodhi natën mes 5 dhe 6 janarit në Arezzo. 53-vjeçari mori pushkën e gjuetisë që mbante rregullisht dhe qëlloi në drejtim të shqiptarit Gezim Dodolit, 59 vjeç, i cili ndodhej në kabinën e mjetit mekanik me kovën që çante murin dhe hyrjen në banesa.

Avokatët mbrojtësit, Marzia Lelli dhe Piero Melani Graverini u fokusuan tek nevoja e ushtrimit të mbrojtjes legjitime, çështje e cila më pas do të trajtohet sërish në vijimësi të procedimit. Ndërkohë autori që qëlloi 5 herë mbi shqiptarin argumentoi para gjykatësit se do të mbronte familjen e tij që ndodhej në rrezik për jetën nga shembja e menjëhershme dhe e mundshme e çatisë së shtëpisë, e cila u sulmua me goditjet e ekskavatorit të drejtuar nga Dodoli.

Sipas dëshmive nga vendngjarja viktima kishte shkuar me një ekskavator pranë banesës së autorit dhe kishte dëmtuar 4 makina të parkuara, për të goditur më pas muret e shtëpisë, kur të gjithë familjarët ndodheshin brenda.
Më pas 53-vjeçari italian doli në dritare dhe qëlloi 5 herë në drejtim të shqiptarit, duke e lënë të vdekur në vend.