Doris Pack: Policia e shtetit e mbushur me militant! S’mund të mbyllim sytë para problemeve

567
Sigal

STRASBURG/“Dua që Shqipëria të marrë statusin, por s’mund të mbyllim sytë para problemeve”,-është shprehur ditën e djeshme eurodeputetja Doris Pack. Gjatë fjalës së saj në takimin Shqipëri-PE në Strasburg, Pack ka komentuar se, policia është mbushur me militantë dhe mbi 450 policë janë larguar nga puna menjëherë. “Unë e dua Shqipërinë më shumë se ju, sepse kam punuar me Shqipërinë shumë gjatë, por ju, komisioni, nuk i shihni problemet sot në Shqipëri? Për të përmendur trafikun, që ngritët ju, nuk i keni dëgjuar deklaratat e shtetit fqinj, Italisë? Që është rritur niveli i trafikut që vjen nga Shqipëria? Dhe pse ndodh kjo? Sepse policia është mbushur me militante dhe mbi 450 policë janë larguar nga puna menjëherë. Apo çështja e mediave dhe AMA, nuk e shihni ndërhyrjen e drejtë për drejtë të qeverisë në këtë institucion të pavarur?”- i është drejtuar Pack eurodeputetit, Viktor Boshtinaru. “Zoti Boshtinaru, unë e kuptoj që ju përfaqësoni z. Fule, por këto gjëra duhet t’i shikojmë dhe t’i hapim sytë. Këtë mesazh duhet t’ia jepni dhe atij. E përsëris, e dua Shqipërinë dhe dua që Shqipëria të marrë statusin dhe të eci në rrugën e integrimit, por nuk mund të mbyllim sytë përballë problemeve që po kalon vendi sot dhe sjelljes së qeverisë”,-ka vijuar më tej Pack. Në Strasburg, nisi të mërkurën pasdite takimi i shtatë i Komitetit të Stabilizim-Asocimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë. Rendi i ditës i këtij takimi dyditor përfshiu diskutimin e një sërë çështjesh, që lidhen me reformat, që vendi duhet të realizojë për të ecur përpara në procesin e integrimit europian që nga lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, tek reforma në shërbimin civil dhe ato ekonomike.