Presidenti i SHBA Joe Biden mbetet në garën për Shtëpinë e Bardhë, tha sot menaxheri i fushatës së tij, pavarësisht dyshimeve nga demokratët për aftësinë e tij fizike dhe mendore për të marrë një mandat të dytë.
“Joe Biden është më i vendosur se kurrë për të mposhtur Donald Trump”. Ndërsa presidenti i merr seriozisht shqetësimet e disa demokratëve, ai është i përkushtuar të luftojë për të fituar një mandat të dytë, tha menaxharja e fushatës së Biden, Jen O’Malley Dillon, në emisionin “Morning Joe” të MSNBC.
“Ata kanë pyetje, por ata po qëndrojnë me Joe Bidenin”, shtoi ajo.
Në të njëjtën kohë, Komiteti Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të takohet të premten për të shtyrë përpara votimin e planifikuar virtual para 7 gushtit, ku pritet të nominohet kandidati i partisë për president. Mbledhja virtuale do të mbahet para se partia të mbajë Kuvendin më vonë gjatë gushtit në Çikago.
Një pjesë e madhe e demokratëve mendojnë se nënpresidentja, Kamala Harris, mund të jetë një kandidate e mirë për presidente.
Sipas një sondazhi të realizuar nga Associated Press dhe NORC Center for Public Affairs Research, gjashtë në dhjetë demokratë besojnë se Harris do të ishte një presidente e mirë. Dy në dhjetë demokratë besojnë se ajo nuk do të ishte një presidente e mirë dhe po ashtu dy në dhjetë të tjerë nuk kanë mendim.
Aktualisht Biden gjendet në shtëpinë e tij në Delaware ku është izoluar për shkak të infektimit me koronavirus.