Delegacion i ushtrisë së Kosovës për herë të parë në Sarajevë

422
Një delegacion i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, kryesuar nga Faruk Geci, drejtor i Drejtorisë për Politika dhe Plane në ministri dhe kolonel, Fadil Hadergjonaj u ftuan zyrtarisht në Sarajevë nga Ministria e Mbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës në cilësinë e mikpritësit të takimit të drejtorëve për politika dhe plane të ministrive të mbrojtjes të vendeve në kuadër të “SHBA-Karta e Adriatikut A-5”.
Kjo është hera e parë që zyrtarisht një delegacion i Ministrisë së FSK-së dhe i kësaj force, mori pjesë në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të mbrojtjes dhe sigurisë në Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ministria kosovare bën të ditur se, në këto takime u diskutuan çështje të projekteve në kuadër të iniciativave rajonale, si: A-5, SEDM, (Ministritë e Mbrojtjes të Shteteve të Evropës Juglindore) B-9, marrëveshjet e bashkëpunimit bilateral në kuadër të menaxhimit të emergjencave dhe çështje që ndërlidhen me pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare në Afganistan, mbështetje të operacioneve të udhëhequra nga NATO, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara.
Gjatë takimit janë diskutuar edhe ide që kërkojnë funksionimin e iniciativave rajonale dhe aktiviteteve tjera në mënyrë që mos të dyfishohen aktivitet dhe po ashtu të përdoren të gjitha aftësitë ushtarake në mënyrë sa më efektive. /ATSH/
Sigal