Deficiti në buxhetin e Portugalisë, 2.1% -Niveli më i ulët historik, ul tensionet me Komisionin

471
Portugalia ka ulur deficitin në buxhet vitin e kaluar në 2.1% në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, që është niveli më i ulët që prej vitit 1974 kur vendi u kthye në demokraci, duke arritur kështu objektivin e rënë dakord me Brukselin në 2.5%.
Të dhënat zyrtare tregojnë se hendeku në buxhet u mbyll për të parën herë poshtë objektivave të Bashkimit Europian prej 3%. Ministri i Financave, Mario Centeno tha se Portugalia do të lërë pas periudhën e deficitit të tepërt dhe se kjo do të rrisë besimin mbi ekonominë. Bilanci primar, që heq pagesat për borxhin, tregoi një suficit prej 2.2% në raport me PBB në vitin e kaluar.
Nëse Eurostat e konfirmon vlerësimin, Komisioni Europian mund të diskutojë rastin e Portugalisë në muajin Prill, për të përfunduar procedurat e ndëshkimeve, që krahu ekzekutiv i BE aplikon ndaj vendeve që nuk arrijnë objektivat. Zyra e Statistikave e Portugalisë e vendosi projeksionin e deficitit për këtë vit në 1.6%. Për krahasim, në vitin 2015, deficiti arrinte në 4.4% në raport me PBB, çka solli edhe reagimet e ashpra nga Komisioni Europian.
Megjithatë, borxhi neto publik i vendit u rrit vitin e kaluar në 130.4% në raport me PBB, nga 129% që ishte në 2015-ën. Zyra e Statistikave raportoi se e pret këtë shifër në 128.5% këtë vit.
Sigal