Çmimet e larta të energjisë, DW: BE larg ujdisë për zgjidhjet

Ministrat e Energjisë të Bashkimit Europian konsultohen të martën për rritjen e ndjeshme të çmimeve në shumë vende të BE dhe se çfarë kundërmasash duhen marrë.

Në shumë vende të BE, rritja e çmimeve të energjisë po kthehet në problem për qytetarët. Si mund të ndalen lëkundjet kaq të mëdha të çmimeve të energjisë në BE? Me këtë çështje merren ministrat e Energjisë së BE në takimin e tyre në Luksemburg (26.10). Komisioni Europian paraqiti para disa ditësh një paketë instrumentash që mund të vihen në përdorim për t’u përballur me rritjen e çmimeve, si për shembull uljen e tatimeve apo subvencionime për sipërmarrjet e vogla.

NOA

Por një grup brenda BE kërkon më shumë. Franca, Spanja dhe Greqia duan që të merren masa më të thella në nivel europian, që të shmangen në të ardhmen çmimet e larta. Për shembull reformimin e tregut të shumicës për tregjet e energjisë duke mundësuar blerjen e përbashkët të gazit dhe magazinimin e tij.

Jo ndërhyrje në tregjet e brendshme

Përballë kësaj qëndron një grup tjetër brenda BE, që kërkon zgjidhje në tregjet ekonomike. Gjermania dhe tetë vende të tjera u shprehën kundër reformave në tregjet e energjisë. Në një dokument të përbashkët me Austrinë dhe Holandën thuhet, se “nuk mund të mbështesim masa, që janë në kontradiktë me tregjet e brendshme të gazit dhe energjisë elektrike, si për shembull një reformë të shpejtë të tregut të shumicës për energjinë.”

Polonia dhe Hungaria nga ana e tyre bëjnë përgjegjëse masat e paketës së klimës të BE si tregtinë me emetimet e dioksidit të karbonit për këtë rritje të ndjeshme çmimesh. Në sistemin e emetimeve të BE, ofruesit e energjisë psh. duhet të paguajnë për emetimin e gazrave serë, CO2. Disa vende, mes tyre Gjermania theksojnë, se masat e mbrojtjes së klimës janë zgjidhja për çmimet e larta të energjisë dhe jo origjina e problemit.

Pozicionet e vendeve të BE në lidhje me çmimet e larta të energjisë janë kaq larg njëri-tjetrit, edhe sepse jo të gjithë janë të prekur njësoj nga rritja e çmimeve. Sipas vëzhguesve në Luksemburg nuk pritet arritja e ndonjë ujdie, me gjasë ajo do të shtyhet në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE.