Bullgari, qeveria jep dorëheqjen pas protestave kundër CEZ

450
Sigal

Jep dorëheqjen qeveria bullgare pas protestave për energjinë që përfshinë vendin. Vendimi për dorëheqjen e qeverisë u komunikua nga vet kryeministri i vendit, Borisov.

“Nuk do të marr pjesë në një qeveri ku policia rreh popullin e saj, tha Borisov, citon BBC. “Cdo pikë e derdhur e gjakut është një turp për ne”, tha kryeministri bullgar.

Një ditë më parë qeveria bullgare vendosi t’i heqë licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike kompanisë çeke CEZ, ndërsa qeveria bullgare vendosi gjithashtu të gjobisë dhe tre shpërndarës të energjisë. Pas heqjes se licencës reagoi edhe kompania CEZ ku zëdhënësja Barbara Pulpanova e cilësoi këtë shkelje të rëndë të normave ligjore në Bullgari si shtet anëtar i Bashkimit Europian. Ndërkohë CEZ ka deklaruar se vetëm Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Bullgari ka autoritetin t’i heqë licencën dhe ky Ent nuk ka marrë asnjë vendim. Dorëheqja e qeverisë vjen vetëm tre ditë pasi dhjetëra mijë bullgarë protestuan në më shumë se 20 qytete të vendit kundër faturave të larta të energjisë elektrike dhe vetëm dy ditë pasi policia antikorrupsion në Çeki njoftoi se ka nisur hetimet për katër marrëveshje ndërkombëtare të CEZ. Në protestën e fundit 11 vetë mbetën të plagosur në kryeqytetin bullgar, Sofje. Në javët e fundit madje vendi është përfshirë nga trazirat politike dhe protestat antiqeveritare çuan në largimin e ministrit bullgar të financave vetëm një ditë më parë duke shtuar presionin ndaj qeverisë. Kështu Bullgaria bëhet vendi i dytë që i heq grupit energjetik çek licencën për shpërndarjen e energjisë elektrike brenda një muaji, pasi Enti Rregullator i Energjisë elektrike në Shqipëri vendosi t’i heqë licencën CEZ-it për shkelje të kontratës. Por në Bullgari ky proces u pasua me dorëheqjen e qeverisë.