Bolonja/Mësuesi humb jetën 10 ditë pas vaksinimit me AstraZeneca, nisin hetimet

337
Sigal

Një dosje do të hapet nga Prokurori Publik i Bolonjës për vdekjen e një mësuesi, Giuseppe Morabito, zv / drejtori i shkollës së mesme “Veggetti” të Vergato nel Bolognese, i cili ndërroi jetë mbrëmë, dhjetë ditë pas injektimit të një doze vaksine të AstraZeneca.

Hetimi pritet që të hedhë dritë nëse vdekja e mësuesit lidhet me vaksinën e AstraZeneca.

“Ne do të hapim një dosje, do të bëjmë të gjitha hetimet e nevojshme – shpjegon kryeprokurori, Giuseppe Amato për mediat në Itali – “por nuk ka asnjë alarmim dhe asnjë të dyshuar për momentin. Ne do të konstatojmë se cilat janë shkaqet e vdekjes, atëherë ne do të nxjerrim të dhënat.”

Me origjinë nga Italia e Jugut, 61 vjeçari, ishte zhvendosur në Vergato shumë vite më parë, dhe i ishte nënshtruar më 3 mars, vaksinës AstraZeneca, kundër covid-19.

Mëngjesin e djeshëm disa kolegë të tij kishin vendosur që ta vizitonin por ai nuk përgjigjej në telefon dhe nuk e hapte derën e banesës. Më pas autoritetet e kanë gjetur atë të vdekur në shtrat.

“Ne do të konstatojmë se cilat janë shkaqet e vdekjes” – përsërit prokurori Amato – “në orët e ardhshme ne do të dalim në një përfundim. Ne do të hetojmë, është puna jonë. Ne këmbëngulim që vaksinimet, duhet të bëhen, në të vërtetë ato duhet t’u bëhen të gjithëve. Për momentin nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim “ – ka thënë më pas ai.

Pas disa rasteve të komplikacioneve me vaksinën e AstraZeneca, thuajse gjysma e vendeve të BE ka bllokuar në mënyrë të plotë ose të pjesshme vaksinimin me AstraZeneca.

Ndërkohë në Shqipëri dy ditë më parë ka mbërritur një sasi prej më shumë se 38 mijë dozash të vaksinës AstraZeneca, ndërsa kryeministri Edi Rama është shprehur se këto doza vaksine janë të sigurta pasi kanë ardhur nga Suedia dhe jo importim i loteve problematike.