Belgjikë/ Drejtonte bandën e trafikut të qenieve njerëzore, dënohet me dhjetë vjet burg shqiptari

165
Sigal

Gjykata belge ka dënuar me 10 vjet burg një 38-vjeçar për pjesëmarrje në një bandë të trafikimit të qenieve njerëzore dhe kalimin ilegal të emigrantëve drejt Britanisë së Madhe. Shqiptari ishte dënuar më parë në mungesë me 8 vite burg për të njëjtën veprimtari të paligjshme, ndërsa me dy vitet shtesë ai duhet të vuajë 10 vjet heqje lirie.

Drejtësia belge ra në gjurmët e bandës së trafikut të qenieve njerëzore në vitin 2016 në zonën e Veurne. Sipas prokurorisë, banda e trafikut të qenieve njerëzore kishte kryer së fundmi 39 kalime ilegale drejt Britanisë së Madhe në një hark kohor prej 5 muajsh duke kaluar 150 persona ilegalisht drejt vendit ishullor. Baza e bandës së trafikut të qenieve njerëzore ishte ish-hoteli i Formula 1 në Ghent, ndërsa transporti fillonte nga parkingjet në Veurne, Adinkerke dhe Bruges.

Për çdo person të trafikuar, drejtuesit e bandës kërkonin 12 mijë paund. Në korrik të vitit 2018, pesë shqiptarë u dënuan për këtë rast. 39 vjeçari Astrit R. u dënua me tetë vjet burg si drejtues i kësaj organizate. Ai u vendos në pranga në vitin 2019 në Mbretërinë e Bashkuar dhe u ekstradua në Belgjikë.

Në një dosje tjetër të kontrabandës së qenieve njerëzore nga viti 2019, shqiptari rezultonte i dënuar edhe me tetë vjet burg. Ai punonte si shofer taksie dhe më vonë edhe më vonë si organizator i bandës dhe drejtues i saj.

Megjithëse avokatët e tij kanë pretenduar se ai nuk ishte drejtuesi i bandës së qenieve njerëzore, prokuroria dhe drejtësia belge kanë menduar ndryshe duke e dënuar me 10 vjet burg plus dhe me një gjobë prej 968 mijë euro.