Babai i hakerit kosovar: Familja jonë është pro-amerikane

503
Babai i Ardit Ferizit, i cili u arrestua në Malajzi i akuzuar se ka hyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin kompjuterik të një kompanie amerikane duke marrë të dhëna personale të më shume se 1,300 pjesëtarëve të ushtrisë amerikane dhe qeverisë federale dhe ja ka dhënë Shtetit Islamik, pranoi të premten që i biri ka pasur probleme edhe më parë për krime kibernetike.
“Është e vërtetë që djali im që nga mosha 15 vjeçare ka pasur probleme me polici për shkak se ka ndërhyrë në disa faqe interneti në Kosovë, por unë nuk besoj se ai është aq gjenial sa ta rrezikojë sigurinë kombëtare të Amerikës,” tha Naim Ferizi 
Ai tha që familja e tij në Gjakovë ishte e shokuar nga arrestimi i djalit të tyre, i cili akuzohet si lideri i grupi të piratëve kibernetikë, Kosova Hacker’s Security.
Naim Ferizi shtoi se familja e tij “nuk ka kurrfarë lidhje” me ISIS-in ndërsa foli me admirim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Jemi familje tradicionale shqiptare e shkolluar, jemi pro shtetit të Amerikës dhe çdo vit aplikojmë për Green Card,” Ferizi duke iu referuar programit vjetor të emigracionit të qeverisë amerikane për shtetas të huaj.
“Pas arrestimit të djalit kemi kontaktuar dy herë me të dhe ka qenë e planifikuar që ai të lirohet, por mandej nuk e dimë çka ka ndodhë,” Ferizi shpjegoi.
Ai u shpreh se të hënën planifikon të shkojë në ambasadën amerikane në Prishtinë “që ta jap versionin e vërtetë të familjes sime dhe djalit tim”.
Departamenti i drejtësisë në SHBA njoftoi të enjten se Ardit Ferizi, i njohur gjithashtu me nofkën Th3Dir3ctorY, në mënyrë të paligjshme midis qershorit dhe gushtit 2015 i ka transferuar informacion anëtarit të Shtetit Islamik më alias Abu Hussain al-Britani.
Me 11 gusht të këtij viti, Hussain postoi në Twitter një dokument më 30 faqe të titulluar “NEW: U.S. Military AND Government HACKED by the Islamic State Hacking Division!”
Dokumenti përmban një kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Ne jemi brenda email-eve tuaja dhe në sistemet kompjuterike duke ju parë dhe regjistruar çdo lëvizje, kemi emrat dhe adresat tuaja, jemi brenda emaileve dhe llogarive në rrjetet sociale, po marrim të dhëna personale dhe po i transferojmë te ushtarët e kalifatit, që shumë shpejt do ju sulmojnë në tokat tuaja!”
Dokumenti përfshinte emrat, email-et, fjalëkalimet dhe numrat e telefonit të 1,351 ushtarakëve amerikanë dhe punonjësve të tjerë të qeverisë.
“Ky postimi kishte për qëllim t’i jepte mbështetësve të ISIL [akronim tjetër i ISIS] në ShBA dhe në vende të tjera të dhënat personale të punonjësve të qeverisë Amerikane në mënyrë që të inkurajonte sulme terroriste kundër tyre,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp Departamenti Drejtësisë.
SHBA pritet të kërkojë ekstradimin e Ferizit. Në qoftë se shpallet fajtor ai rrezikon një dënim me 35 vite burg/Birn 

Sigal