Arrestohet në Maqedoni kryebashkiaku i Pustecit për manipulim zgjedhjesh

546
Kreu i Bashkisë minoritare të Pustecit në Pogradec ka përfunduar pas hekurave, pasi akuzohet për manipulim zgjedhjesh. Mësohet se Edmond Themelko u arrestuar në qytetin Resnjë të Maqedonisë dhe akuzohet për pjesëmarrje në manipulime zgjedhore në Maqedoni. Sipas mediave maqedonase, prangosja e zyrtarit është bërë me urdhër të Prokurorisë Special, duke mos përmendur emra, por vetëm duke bë me dije se ka shtetësi të dyfishtë. Edmond Themelko, përfaqësues i PS-së, është kryetari i parë i një prej 61 bashkive të reja në vend, bashkisë së Pustecit e cila përfaqëson komunitetin Maqedonas.
KRYETARJA E KËSHILLIT BASHKIAK TË PUSTECIT: AKUZAT PËR THEMELKON S’JANË TË VËRTETA
Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Pustecit, Irena Vasilovski e cilësoi të paligjshëm arrestimin e kryebashkiakut, Themelko. Zyrtarja pohoi se Themelko i fitoi zgjedhjet me një diferencë të madhe votash dhe kurrësesi me anë të manipulimit. “Arrestimi i Themelkos nuk është i drejtë. Akuzat që rëndojnë mbi të nuk janë të vërteta. Themelko fitoi me një diferencë të madhe votash dhe nuk fitoi përmes manipulimit në Pustec”, tha Vasilovski
POLICIA: THEMELKO U ARRESTUA NË BANESËN E TIJ NË RESNJË
Sakaq, policia maqedonase ka dhënë detaje për arrestimin e Edmond Themelkos në Maqedoni. Mësohet se prangosja e tij ka ndodhur në banesën e tij në Resnjë, qytet ku ai jeton pjesën më të madhe të kohës. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se Themelko ka mbajtur në Maqedoni banorë të Pustecit gjatë zgjedhjeve.
“TITANIK” KËRKOHET ARREST PËR TETË PERSONA
Rasti i parë për të cilin Prokuroria Speciale Publike (PSP) hapi procedurë hetimore është “Titanik”, ndërsa ka të bëjë me veprat lidhur me zgjedhjet, njoftoi sot prokuroja publike speciale Katica Janeva. Prokuroja Fatime Fetai në pres konferencën e PSP-së theksoi se është hapur procedurë hetimore për shoqërim kriminal, shkeljen e të drejtës zgjedhore, rryshfet gjatë zgjedhjeve, shkatërrimin e materialeve zgjedhore dhe keqpërdorimin e mjeteve për fushatën zgjedhore në vitin 2012, shkruan alsat.  Citoi se ministrat e Punëve të Brendshme, të Transportit dhe Lidhjeve dhe sekretari i qeverisë së atëhershme, si dhe persona të tjerë, e kanë shfrytëzuar ndikimin dhe në shkallë lokale dhe shtetërore kanë krijuar grup për kryerjen e veprës penale, që të mundësojnë fitore të një partie të caktuar politike në zgjedhjet. Prokuroria speciale sot parashtroi kërkesë për arrestimin e tetë personave, por nuk saktësohet se për cilët bëhet fjalë. Një person tashmë është arrestuar dhe është nxjerrë para gjykatës.
Sigal