Anijet turke nisen drejt detit Egje, Greqia ankohet tek NATO: Nuk lejojmë asnjë kërcënim nga askush

293
Sigal

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias, ditën e sotme ka reaguar në lidhje me vendimin e Turqisë për të rifilluar kërkimin për gaz në Egjeun Lindor. Dendias pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme, ka thënë se NATO është informuar për zhvillimet që po ndodhin së fundmi në Greqi, duke shtuar se vendi nuk do të pranojë asnjë kërcënim nga askush.  “Kemi të bëjmë me një përshkallëzim serioz të situatës në Egjeun Lindor pas dërgimit të anijeve turke në atë zonë”, tha Dendias.

Gjatë mëngjesit të sotëm, anija turke “Oruç Reis” filloi lundrimin për në zonën mes Qipros dhe Rodosit duke kryer kërkime për gaz në zonë. Mediat kanë raportuar se anija është shoqëruar edhe me anije të tjera ushtarake.

Turqia dhe Greqia janë duke përjetuar tensione në raportet mes tyre gjatë viteve të fundit jo vetëm për shkak të ishujve të kontestuar, por edhe për ndarjen e pasurive poshtë ujërave të Egjeut Lindor.