Aksident fatal në Zvicër, 26-vjeçari nga Shqipëria u fut në korsinë e kundërt brenda në tunel (Foto)

420
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në tunelin Misox të Zvicrës, i ka marrë jetën një grua 67-vjeçare. Shkak është bërë kalimi i një mjeti të drejtuar nga një i ri shqiptar, në korsinë e kundërt.

Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur edhe 26-vjeçari shqiptar, por fatmirësisht me lëndime të lehta.

Ngjarja ka ndodhur në autostradën A 13, teksa shqiptari me makinë e tij po udhëtonte për në Ticino. Në momentin kur ka hyrë në tunel, ai është përplasur ballë për ballë me një makinë tjetër, dhe si pasojë e goditjes së fortë dy mjetet janë shkatërruar thuajse plotësisht.

Sipas mediave zvicerane gruaja 67-vjeçare vdiq në vendin e aksidentit, ndërsa shqiptari u dërgua në spitalin San Giovanni në Bellinzona.

Prokurori dhe policia nisi hetimet për ngjarjen, si dhe për të kuptuar shkaqet pse automjeti i shoferit shqiptar përfundoi në korsinë e kundërt. Si pasojë e aksidentit, rruga mbeti e mbyllur përreth 4 orë. Në vendin e ngjarjes shkuan edhe 15 zjarrfikës dhe dy ambulanca.