60 vjet BE – Të shtunën samiti i Romës, blindohet kryeqyteti italian

549
Liderët e 27 vendeve antare të BE-së, pa praninë e Kryeministres së Britanisë, Theresa May, do të mblidhen ditën e nesërme në Romë, në kuadër të 60-vjetorit të unionit. Në këtë takim i cili vjen në një pikë kyçe për bllokun, liderët pritet të firmosin një deklaratë të përbashkët ku do të përcaktohet edhe një linjë mbi të ardhmen. Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, është shprehur se me prioritet do të shihet forcimi i unitetit si dhe rritja e besimit të ndërsjelltë mes vendeve anëtare.

Më 25 mars 1957, përfaqësuesit e Belgjikës, Gjermanisë Perëndimore, Francës, Italisë, Luksemburgut dhe Holandës hodhën hapin e parë për themelimin e strukturës që sot e njohim me emrin Bashkimin Europian.

Marrëveshja e njohur në histori si Traktati i Romës, u bë themeluesja e tregut të përbashkët europian, që parashikonte lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, të krahut të punës dhe kapitalit.

60 vjet më vonë, e pikërisht në 25 mars 2017, liderët e 27 vendeve anëtare, pa praninë e Britanisë, do të mblidhen sërish në të njëjtin vend, në një moment kyç për të ardhmen e unionit.

Vendimi i qytetarëve britanikë për të dalë nga BE-ja, rritja e populizmit dhe e pakënaqësisë së një pjese të qytetarëve për politikat e Brukselit, kriza e emigrantëve dhe rreziku i terrorizmit janë ngjarje që kanë ngritur pikëpyetje të shumta.

Për këtë arsye, në krye të axhendës së samitit të Romës qëndron firmosja e një deklarate, ku liderët aktualë të vendeve anëtare do të shprehin një vizion të përbashkët mbi ardhmërinë e Bashkimit Europian.

‘Do të flasim për skenarët e mundshëm të Europës. Objektivi ynë do të jetë forcimi i besimit të ndërsjelltë mes 27 vendeve anëtare’ ka qenë deklarata paraprake e Presidentit të Komisionit Europian, Zhan Klod Juncker.

Në takim do të ketë diskutime të gjera edhe për hartimin e një strategjie, e cila do të parandalojë rritjen e euroskepticizmit.

Aktualisht, autoritetet kanë përgatitur gjithçka për mbajtjen e samitit, ku ndër të tjera, liderët do të takohen me Atin e Shenjtë, Papa Françesku.

Konkluzionet e takimit do të bëhen të ditura në një konferencë për mediat që do të mbajnë ditën e dielë, Presidentët e tre institucioneve kryesore të BE, Zhan Klod Juncker, Donald Tusk dhe Antonio Tajani, si dhe kryeminsitri i Maltës, Xhosef Muskat, vend i cili mban edhe Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian.

Pas sulmit terrorist në Londër, autorietet italiane, kanë forcuar ndjeshëm masat e sigurisë, ndërkohë që mbi 25 mijë persona do të mblidhen në Romë për tubime dhe protesta, ku një pjesë mbështet vazhdimësinë e projektit të BE-së, ndërkohë që pjesa tjetër janë kundër diçkaje të tillë.

Zyrtarët e Policisë, nuk kanë përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të protestave, e sidomos nga grupet e ekstremit të majtë.
Sigal