“430 miliardë dollarë”/ Senati miraton projektligjin për uljen e inflacionit

49
Sigal

Senati amerikan miratoi të dielën me një shumicë të thjeshtë votash një masë prej 430 miliardë dollarësh për të luftuar ndryshimet klimatike, për uljen e çmimit të ilaçeve dhe rritjen e disa taksave për korporatat. Ndërsa senatorët votuan 50 me 50 përgjatë linjave partiake mbi projektligjin e njohur si “Akti i Reduktimit të Inflacionit”, vota e Nënpresidentes Kamala Harris ishte vendimtare për t’i hapur dritën jeshile nismës së demokratëve.

Senatori Chuck Schumer është udhëheqës i shumicës demokrate.

“Sot, pas më shumë se një viti pune të palodhur, Senati po bën histori. Jam i bindur se ligji për uljen e inflacionit do të mbetet si një nga vendimet përcaktuese legjislative të shekullit 21. Legjislacioni ul inflacionin dhe redukton kostot. Krijon miliona vende pune me pagë të mirë dhe është paketa më e spikatur për klimën në historinë amerikane. Ky projektligj do të fillojë epokën e energjisë së pastër të përballueshme në Shtetet e Bshkuara”.

Republikanët argumentuan se projektligji nuk do ta trajtonte inflacionin por do të shkatërronte vendet e punës, si një listë dëshirash majtiste për shpenzime që mund të minojë rritjen, ndërkohë që ekonomia po futet në recesion.

Senatori republikan, Mike Rounds, tha se taksat e reja do të rëndojnë tek familjet amerikane.

“Familjet e zakonshme amerikane ndikohen sa herë që vendosni taksa të reja mbi ekonominë. Demokratët thonë se taksat janë ndaj korporatave, por korporatat i rrisin çmimet duke ia faturuar amerikanëve. Nga këndvështrimi ynë, amerikanët do ta ndjejnë rritjen e taksave”.

Senati debatoi më shumë se 15 orë dhe votoi për dhjetëra amendamente të përfshira në paketën demokrate, të kundërshtuar ashpër nga republikanët.

Legjislacioni hap mundësinë e uljes së çmimeve të ilaçeve dhe përcakton jo më shumë se dy mijë dollarë shpenzime mjekësore në vit nga xhepi i pensionistëve. Taksat minimale që do të paguajnë korporatat do të jenë 15%.

“Kandidova për president me premtimin për ta bërë qeverinë t’i sherbejë sërish popullit amerikan. Ky legjislacion e bën këtë”, shkruante Presideti Biden në rrjetin Twitter.

Miratimi i projektligjit vjen pas një raporti se ekonomia amerikane shtoi 528 mijë vende të reja pune gjatë muajit të kaluar, duke tejkaluar parashikimet dhe duke e kthyer fuqinë punëtore në vend në gjendjen që ishte para pandemisë, me papunësinë më të ulët në 50 vjet.

Miratimi i legjislacionit po shihet si një fitore e madhe për Presidentin Biden dhe demokrattët, ndërsa vëmendja tani është kthyer tek zgjedhjet e pjeshme për Kongresin amerikan në muajin nëntor.

Projektligji pritet të miratohet të premten nga Dhoma e Përfaqësuesve para se Presidenti Biden ta nënshkruajë atë në ligj./ VOA/