Studentëve u mohohet e drejta e votës në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve

479
Sigal

Zbardhet Projektligji i Arsimit të Lartë: Ja risitë në pranimin e studentëve. Zhduket sistemi part-time

Të gjitha universitetet në vend kanë në dorë projektligjin e ri për Arsimin e Lartë, përgatitur nga Ministria e Arsimit. Ky projektligj duket se centralizon pushtetet në nivel rektori dhe ministri, ndërsa u heq të drejtën e votës studentëve dhe stafit administrativ në zgjedhjet e drejtuesve të fakulteteve dhe universiteteve, një e drejtë e fituar me gjak nga studentët francezë dhe universiteteve të tjera europiane në mesin e viteve ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar. Kështu, ndryshe nga Neni 21 “Zgjedhja e organeve dhe e autoriteteve drejtuese” në Ligjin për Arsimin e Lartë ku studentët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë ku ata studiojnë “a) rektori i institucioneve publike të arsimit të lartë zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli jo akademik dhe studentët e institucionit; b) dekani/drejtori zgjidhet me votim të fshehtë nga i gjithë personeli akademik, personeli joakademik dhe studentët e fakultetit/institutit të kërkimit dhe zhvillimit/kolegjit profesional”, në Nenin 42 të Projektligjit të Arsimit të Lartë, studentët përjashtohen nga e drejta për të zgjedhur rektorin, ku thuhet se: “Rektori zgjidhet nga asambletë e personelit akademik të njësive kryesore”, ndërsa në nenin 45 të projektligjit është Rektori, ai që zgjedh dekanin. Në këtë mënyrë, studenti privohet nga e drejta për të shprehur nëpërmjet votës se cili është kandidati më i mirë, apo i duhur për të qenë në krye të institucionit të lartë arsimor ku ai shkollohet.

Centralizimi i kompetencave të rektorit dhe ministrit të Arsimit

Ministri i Arsimit

Projektligji i ri për arsimin e lartë ka prirjen për të centralizuar dhe përmbledhur të gjitha kompetencat në nivelin e rektorit dhe ministrit: nuk ka më këshilla fakultetesh dhe, praktikisht, dekani nuk ka asnjë kompetencë të përcaktuar, madje nuk emëron as zëvendësit! Krahasuar me ligjin në fuqi, ky projektligj ka kompetenca të shtuara të Ministrit të Arsimit dhe Sportit në lidhje me pezullimin dhe shkarkimin e Rektorit, Dekanit, si edhe pezullimin, mbylljen dhe heqjen e licencës së IAL-ve. Kështu në nenin7 të projektligjit ministri i Arsimit “c) në raste flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi, të paaftësisë mendore ose fizike dhe për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Rektorit të institucionit publik, ministri urdhëron shkarkimin e tij; ç) në raste flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi, të paaftësisë mendore ose fizike dhe për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e autoritetit drejtues, pas marrjes së miratimit të senatit, Rektori urdhëron pezullimin e autoritetit drejtues dhe i propozon Ministrit shkarkimin, i cili shprehet brenda një muaji nga dita e marrjes dijeni. Rektori cakton njërin prej zëvendësve të autoritetit drejtues deri në zgjedhjen/emërimin e autoritetit të ri”. Ndërsa në Nenin 33, ministri i Arsimit ka kompetenca të plota për hapjen dhe mbylljen e IAL-ve “1. Hapja e një institucioni të arsimit të lartë, mbyllja e tij ose bashkimi me ndonjë institucion tjetër të arsimit të lartë, bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrit përgjegjës për arsimin”. Formalisht, ai duhet të marrë mendimet e Senatit dhe ministrive të tjera që mund të lidhen me IAL-në, por praktikisht i ka të gjitha hapësirat të veprojë edhe vetëm “Hapja, riorganizimi, ose mbyllja e njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë, bëhen me vendim të senatit akademik”. Sërish kompetenca të plota të ministrit të arsimit për hapjen, pezullimin dhe mbylljen e programeve të reja të studimit në nenin 38 të projektligjit, “Hapja e programeve të reja të studimit, pezullimi dhe mbyllja e tyre miratohet nga Ministri përgjegjës për arsimin, në bazë të kërkesës së institucionit të arsimit të lartë”.

Rektori i fuqizuar dhe dekani i zhveshur nga kompetencat

Në nenin 42 të projektligjit “rektori zgjidhet nga asambletë e personelit akademik të njësive kryesore. Kandidatët për rektor vetëkandidohen ose propozohen nga personeli akademik i institucionit të arsimit të lartë”. I vetmi përcaktim kushtëzues për Rektorin është titulli “Profesor”, ndërkohë që mbetet në diskutim nëse duhet të jetë pjesë apo mund të vijë dhe jashtë institucionit dhe nëse mund të rikandidojë pas përfundimit të mandatit 4-vjeçar. Dekani bart të njëjtën problematikë si Rektori, por praktikisht nuk ka asnjë kompetencë, madje nuk emëron as zëvendës dekanët, numri i të cilëve përcaktohet nga institucioni (praktikisht Rektorati) dhe emërimi bëhet nga Rektori; ai bën vetëm propozimin e emrit. Neni 46 – pika 1 prezanton konceptin e ‘Dekanatit’, ku përfshihen dhe shefat e departamenteve, ndërkohë që nuk ekziston më Këshilli i Fakultetit, ndërsa në pikën 2 përcaktohet që zëvendës dekanët emërohen dhe shkarkohen nga rektori, pra, praktikisht Dekani nuk ka asnjë kompetencë për të përcaktuar stafin me të cilin do të punojë për 4 vjet!

Pranimi i studentëve

Sipas projektligjit të ri do të jetë Qendrës e Shërbimeve Arsimore (QSHA) (Neni 11) dhe jo vetë institucionet e arsimit të lartë siç edhe u trumbetua, e cila do të organizojë aplikimin për pranim të studentëve në programet e studimit të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë si edhe ato profesionale, me përjashtim të studimeve të doktoratës dhe studimeve specializuese afatgjata, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Tashmë do të jetë QSHA, ajo që do të pajisë çdo student të regjistruar në një institucion të arsimit të lartë, me një numër unik matrikullimi, që e shoqëron deri në marrjen e diplomës, certifikatës apo gradës shkencore për programin përkatës të studimit, sipas përcaktimeve të bëra me udhëzim të Ministrit përgjegjës për arsimin; do të organizojë dhe administrojë provimin e shtetit për profesionet e rregulluara në bashkëpunim me organet kompetente përkatëse dhe provime të tjera; etj.. (QSHA do të ofrojë shërbime kundrejt pagesës së tarifave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave). Kriteret e aplikimit për vijimin e studimeve të ciklit të parë apo atyre të integruara të ciklit të dytë i ofrohen çdo individi, që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm dhe që ka siguruar një prag minimal të rezultateve, përcaktimi i të cilit bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret e aplikimit për ndjekjen e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë i përcaktojnë vetë institucionet e arsimit të lartë. QSHA bën publike çdo vit, për çdo institucion të arsimit të lartë, kriteret e pranimit të studentëve për të gjitha ciklet e studimit dhe programet profesionale me përjashtim të studimeve të doktoratës dhe studimet specializuese afatgjata. QSHA verifikon të dhënat e deklaruara nga aplikantët dhe procedurat e ndjekura prej tyre dhe u komunikon institucioneve të arsimit të lartë emrat e kandidatëve sipas programit të studimit ku ata kanë aplikuar. QSHA u komunikon aplikantëve programet e studimit dhe institucionet e arsimit të lartë, ku ata janë pranuar. Aplikantët bëjnë zgjedhjen përfundimtare të institucionit të arsimit të lartë përkatës dhe të programit të studimit që duan të ndjekin, për të cilin lëshohet numri i matrikullimit kundrejt tarifës përkatëse.

 Forma e studimeve dhe pranimi në institucionet e arsimit të lartë

1. Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë: a) studime me kohë të plotë; b) studime me kohë të zgjatur; c) studime të formimit të vazhduar.

2. Studimet me kohë të zgjatur mund të ofrohen në programet e studimit një deri në dy vjeçarë me karakter profesional, programet e ciklit të dytë Master Profesional dhe programet e ciklit të tretë Master Ekzekutiv. Institucionet e arsimit të lartë mund të ofrojnë edhe programe të tjera studimi në formën me kohë të zgjatur në rastet kur ato miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Programet e studimit, që japin të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar organizohen vetëm në formën e studimeve me kohë të plotë.

4. Organizimi i studimeve, pranimi i studentëve dhe financimi nga Buxheti i Shtetit në institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në fushat e arteve dhe sporteve bëhen në përputhje me këtë ligj dhe specifikat përkatëse, të përcaktuara me akte nënligjore të Ministrisë përgjegjëse për arsimin.

5. Pranimet e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në të gjitha programet e studimit të ofruara, bëhen me vendim të institucioneve, por në përputhje me standardet shtetërore të kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore, të përcaktuara sipas fushave specifike të formimit me vendim të Këshillit të Ministrave. Këto standarde verifikohen dhe certifikohen nga Inspektoriati Shtetëror i Arsimit të Lartë përpara deklarimit të kuotave të pranimit nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë për çdo vit akademik.

Programet e përbashkëta të studimit

 Programet e përbashkëta të studimit realizohen në një institucion të arsimit të lartë ose njësi kryesore të tij, në bashkëpunim me një ose disa institucione të tjera të arsimit të lartë, publike ose jopublike, brenda ose jashtë vendit. Në procesin e realizimit të një programi të përbashkët studimi, njëri nga institucionet e arsimit të lartë merr përsipër përgjegjësinë kryesore për organizimin dhe realizimin e tij. Në përfundim të studimeve lëshohet diplomë e përbashkët ose secili nga institucionet ofruese lëshon diplomën e tij në fushën e arsimimit të kryer. Në kushtet e realizimit të programeve të përbashkëta të studimit me institucione të huaja të arsimit të lartë, mund të zbatohen standarde të ndryshme nga ato shtetërore. Në raste të tilla, institucionet shqiptare të arsimit të lartë përcjellin pranë Ministrisë përgjegjëse për arsimin dokumentacionin përkatës që vërteton këtë bashkëpunim. Njohja e këtyre programeve të përbashkëta të studimit bëhet me miratimin e Ministrisë përgjegjëse për arsimin.