Prof. Liman Varoshi: “Viti akademik 2013-2014, viti i kërkimeve shkencore në universitet”

533
Sigal

Intervista/ Flet Rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof. Liman Varoshi

Në një intervistë për “Telegraf”, Rektori i Universitetit të Elbasanit, Profesor Liman Varoshi, ka renditur disa prej problemeve dhe sfidave me të cilat po ndeshet ky institucion i arsimit të lartë këtë vit akademik, por edhe risitë, duke përmendur kërkimet shkencore të pedagogëve dhe  Doktoraturën.

-Zoti Varoshi, cila është ecuria e këtij viti akademik në UE?

Viti akademik gjendet në mesin e tij dhe aktualisht ka përfunduar semestri i parë, i cili po shoqërohet me sezonin e provimeve. Mund të them se universiteti “Aleksandër Xhuvani” i  Elbasanit është tashmë një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend, duke pasur rritje jo vetëm në numrin e studentëve, dhe të programeve të studimit që ai ofron, por në mënyrë të veçantë në rritjen cilësore të tij. Rritje, gjithashtu,është vërejtur edhe në fushën e infrastrukturës, që mundëson cilësi dhe koherencë të procesit mësimor dhe kërkimor. Siç mund ta dini, ne tashmë kemi fituar statusin e plotë të Universitetit, pasi prej dy vjetësh kemi edhe ciklin e tretë të studimeve, ku ne ofrojmë gradën shkencore doktor, në fushën e Albanologjisë në drejtimet Gjuhësi dhe Histori.

-Zoti Varoshi e mirëprisni akreditimin e institucionit tuaj?

Në radhë të parë më lejoni të shpreh mendimin tim se, akreditimi është një proces i domosdoshëm në garantimin e cilësisë së arsimit të lartë në vend. Ky proces është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, edhe për të gjithë të rinjtë, që sot kërkojnë të vazhdojnë studimet e larta dhe natyrisht edhe për familjarët e tyre. Ata kërkojnë të kenë garancinë që, dijet e tyre në përputhje me fushat e interesit, të rezultojnë bashkëkohore, të dhëna në mjedise universitare komode, nga pedagogë të kualifikuar. Pra ata duan të jenë të sigurt në vlerën e diplomës të cilën marrin. Nisur nga ky këndvështrim ne mirëpresim akreditimin e universitetit tonë, duke qenë të bindur se, kjo do të forcojë pozitat e institucionit tonë në tregun e arsimit të lartë në Shqipëri dhe më gjerë.

-Kë mendoni nga strukturat tuaja se mund të vlerësohet nga agjencia britanike?

Siç e thashë edhe më lart, ne jemi të gatshëm të jemi pjesë e këtij procesi të paralajmëruar  tashmë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Besoj se, kjo vendimmarrje që ju po kërkoni, i takon pikërisht këtij institucioni në bashkëpunim me agjencinë e përzgjedhur. Megjithatë, ajo që unë mund të them është fakti se, Universiteti i Elbasanit sot, e ka të përvijuar identitetin e tij në komunitetin universitar shqiptar dhe më gjerë. Ne kemi përmirësuar me shpejtësi infrastrukturën mësimore kërkimore, me qëllim krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për pedagogët dhe studentët. Nga ana tjetër stafi akademik i institucionit tonë është duke vazhduar me shpejtësi kualifikimet e nevojshme. Përveç strukturës bazë të këtij stafi, të përbërë nga pedagogë tashmë të shquar në të gjithë vendin, për kontributin e tyre akademik, edhe stafi i ri po ecën në këtë rrugë. Unë e them me bindje se, brenda një periudhe 2 vjeçare, nuk do të ketë pedagog të Universitetit të Elbasanit, i cili nuk do të ketë, minimumi, gradën shkencore Doktor. Për këtë qëllim ne kemi kërkuar përshpejtimin e këtij procesi pasi studentët kërkojnë të marrin dije cilësore, e cila është produkt i drejtpërdrejtë i një stafi të kualifikuar.

-Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, cilat janë masat?

Në fakt korrupsioni është një element i kudogjendur në shoqërinë shqiptare, pavarësisht se në shumë raste ne nuk ndajmë faktet reale dhe provat e ekzistencës së tij nga perceptimi i tij. Besoj thellësisht në faktin se, mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin është transparenca dhe eliminimi sa më shumë i subjektivizmit. Nisur nga këto dy elementë ne kemi marrë një sërë masash, sidomos përsa i përket sezonit të provimeve dhe procesit të vlerësimit të tyre. Siç mund ta dini tashmë ne kemi ndërtuar rrjetin e brendshëm të komunikimit brenda institucionit tonë, ku në mënyrë dixhitale hidhet vlerësimi i të gjithë studentëve nga ana e pedagogut të lëndës, ndërkohë që puna e pedagogut kontrollohet nga strukturat më lart tij, si përgjegjësi i departamentit, dekani apo qoftë edhe Rektori. Studenti nuk vlerësohet vetëm për provimin përfundimtar, por ne kemi futur si element vlerësimin e vazhdueshëm, që do të thotë se në notën përfundimtare të lëndës kanë rëndësi edhe elementë të tjerë, si pjesëmarrja e tij aktive në procesin mësimor, kolokiumet e ndryshme gjatë vitit, punët laboratorike, esetë e ndryshme, ushtrimet etj.. Pedagogu i lëndës harton minimumi 3 teza për provimin, që ai ka, kur ky provim është me shkrim, dhe minimumi 20, kur ky provim është me gojë dhe në rastin e parë teza që bie në provim zgjidhet nga një studenti në mënyrë rastësore. Kemi marrë masat që të gjithë provimet të bëhen me sekretim, pra pedagogu të mos e dijë se e kujt është një fletore dhe e kujt është një tjetër, pra për të eliminuar subjektivizmat, apo ndërhyrjet nga më të ndryshmet. Njëkohësisht  përpara se të vendosë notën përfundimtare, pedagogu është i detyruar t’i shpjegojë studentit, vlerësimin e tij, dhe në rast se ky i fundit është i pakënaqur me këtë vlerësim, kemi dhënë urdhër që menjëherë të ngrihet komision në rang departamenti për një vlerësim tjetër të pavarur. Pra këto janë disa nga masat tona për të eliminuar sa më shumë elementë të korrupsionit në universitet, ndërkohë që, siç e kam thënë edhe më parë ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me organet e zbatimit të ligjit nëse ato evidentojnë dhe provojnë raste të abuzimit nga ana e stafit tonë.

-Në filozofinë e punës suaj çfarë vendi zë kërkimi shkencor?

Kërkimi shkencor pa më të voglin hezitim është vlerësuar si një element i rëndësishëm i krejt veprimtarisë tonë universitare. Në këtë kuptim, për nga rëndësia që ofron ai është i njëjtë dhe shkon sinkron me procesin mësimor. Madje viti akademik 2013-2014 në strategjinë e punës tonë, është shpallur si viti i kërkimit. Për këtë qëllim është vënë në funksion një skemë e hartuar posaçërisht për matjen e punës kërkimore që kryen çdo pjesëtar i stafit tonë akademik. Një skemë e tillë është vënë në dispozicion të çdo departamenti, i cili në përfundim të vitit akademik, krahas analizës vjetore bën edhe ballafaqimin e punën e kryer nga pedagogët me treguesit që përmban skema e mësipërme. Në të njëjtën kohë është stimuluar dhe procesi i aplikimit në projekte kërkimore ndëruniversitare dhe aktualisht  Universiteti i Elbasanit rezulton partner në 3 projekte të kësaj natyre. Gjithashtu,  kemi shprehur gatishmërinë për të mbështetur financiarisht  çdo projekt të aplikuar në nivel departamenti, i cili më së shumti t’i vlejë cilësisë dhe koherencës së procesit mësimor, por edhe fushës së albanologjisë. Për më tepër garancinë për një punë kërkimore produktive dhe të vazhdueshme e afirmon edhe fakti që pranë çdo fakulteti ekzistojnë dhe funksionojnë 5 qendra të kërkimit shkencor.

-Po ju vetë çfarë plani individual keni në fushën e botimeve?

Aktualisht, jam në fazën e shkrimit të një monografie, e cila do t’i kushtohet tërësisht problemit  të totalitarizmit në Shqipëri, dhe në Ballkan, për periudhën mes viteve 1940-1970. Theksoj se, shkrimi i kësaj monografie është produkt i një hulumtimi të gjatë dokumentar, si dhe i shfrytëzimit të të gjithë studimeve vendase, dhe të huaja, për këtë problem. Më tej veprimtaria ime në fushën e botimeve parashikon që, shumë shpejt të dalë me një përmbledhje me studime, për ndriçimin e historisë së trevës së Elbasanit dhe më gjerë. Madje, një vend të rëndësishëm do të zërë dhe kontributi i shumë intelektualëve elbasanas për të cilët për shumë kohë ka dominuar  pluhuri i harresës.